SHAKAJA E HOLANDËS

Asgjë. Mos pritni gjë nga BE-ja.

Shqipëria që nga koha e rilindësve bën luftë titanike që ta ruajë identitetin kulturor evropjan. Thuajse 200 vjet. Dhe, kjo luftë nuk është e rastit. Ajo I ka rrënjët shumë më të hershme. Nga antika, përmes mesjetës e deri në kohën e Humanizmit e të Renesansës, kur mjaft shqiptarë i dhanë Evropës  disa njerëz të dijes që sot bëjnë pjesë në listen e figurave të çmuara të kulturës evropiane.

Shpërblimi nga Evropa është: dëbimi masiv i shqiptarëve. Njëherë pas vdekjes së Skënderbeut me qindra mijëra u detyruan të zhvendosen nga vendi i tyre në vendet më pasive të Italisë. Pastaj, kur fuqitë e mëdha i themeluan shtetet e Ballkanit, erdhi “shpërblimi” i dytë: me miljona shqiptarë u detyruan t’i lënë shtëpitë e tyre dhe të shkojnë në Anadoll, duke lënë pas vetes qindra mijëra njerëz të vrarë e të masakruar. Finalja: copëtimi i pamëshirshëm i hapësirës etnike shqiptare dhe asimilimi i dhunshëm i shqiptarëve.

Për gjithë këtë Evropa nuk bëri zë.

Me këtë shkon edhe përpjekja e madhe e fuqive të mëdha të kohës që të ndihmohen okupatorët e rinj që të bëjnë zullume mbi popullin e pambrojtur shqiptar gjatë Luftës së parë botërore e më vonë. Madje pjesërisht edhe sot e kësaj  dite.

Drejtësia evropiane është si tërkuza në thes.

Të kishte bërë së paku një për qind nga ajo që shkruhet nëpër ligjet, manifestet, deklaratat e “parimet” për të drejtat e njeriut dhe për të drejtat e ruajtjes së identitetit gjuhësor e kulturor të shqiptarëve, sot do të kishim qenë krejtësisht ndryshe. Përkundrazi fuqia e tyre e madhe mediatike edhe sot e kërkon qimen e fajit në qullin ballkanik ndër shqiptarët që këtë qime pastaj ta bëjë mal.

Qëllimi kësaj radhe është i thjeshtë: të mos pranohet Shqipëria në Bashkimin Evropian.

Dhe, kjo  të ndodhë, sepse  është gjetur çelësi për ta bërë këtë sherr:

Holanda!

Mjafton që vetëm një Holandë mos ta japë pëlqimin, Shqipëria nuk do të pranohet. Sepse: Holanda nuk qenka e kënaqur me plotësimin e kërkesave të BE-së nga ana e Shqipërisë.

Po a është me të vërtetë arsyeja e këtij qëndrimit të Holandës mosplotësimi i kërkesave dhe i kushteve nga ana e Shqipërisë?

Natyrisht se jo.

Çfarë kushtesh na paska plotësuar Greqia e cila është ndër anëtarët e parë të BE-së? A mos i respketoi të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave kombëtare dhe të drejtat tjera?

Jo.

Çfarë kushtesh e kërkesash iu bënë Bullgarisë dhe Rumanisë?

Kurrfarë!

Megjithatë mirë është që Holanda po deklarohet se nuk do ta japë pëlqimin e saj që Shqipëria të integrohet në BE. Ndoshta do të jetë më mirë. Se, integrimi për ne do të jetë fatal sepse do ta përshpejtojë emigrimin e të rinjve tonë në vendet e BE-së ku duhet t’i bëjnë punët më të rënda e më pak të paguara. Dhe, ku i pret asimilimi i shpejt.

Prandaj politikanët shqiptarë është mirë të jenë më kreativë dhe ta kërkojnë një mundësi të afrimit politik, kulturor e ekonomik me SHBA-të, Britaninë e Madhe dhe Izraelin, se sa të humbin kohë duke pritur sot qejfin dhe mëshirën e Holandës e nesër të dikujt tjetër.

Ne nuk duhet të lejojmë që e ardhmja jonë të varet nga qejfi i Holandës ose i cilit do tjetër.

E ardhmja e fëmijëve tonë duhet të jetë në vendin e të parëve të tyre, brenda gjuhës dhe kulturës së tyre. Brenda identitetit të tyre kombëtar.

Prandaj pse të presim të bëjënë shaka me ne, kur as Britania e Madhe nuk e përballon dot shakanë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button