Marsh-protesta e punëtorëve kulturorë: S’duam premtime, por miratojeni Marrëveshjen Kolektive

Është mbajtur sot marsh – protesta e punëtorëve kulturorë, ku u kërkua miratim urgjent i Marrëveshjes Kolektive. Protestën e ka mbështetur edhe Ministria e Kulturës dhe ka njoftuar se, procesi i përpilimit të Marrëveshjes është në fazën përfundimtare, transmeton Portalb.mk.

Punëtorët kulturorë u shprehën të revoltuar, ngaqë punojnë pa definim dhe grupim të qartë të vendeve të punës në institucione, pa valorizim të drejtë të punës në të gjitha fushat, pa definim të saktë të kushteve të punës për mbrojtje të shëndetit dhe rritjes së sigurisë, pa shtesa në paga dhe pa mëditje për udhëtime zyrtare.

Sanja Arsovska nga Sindikata e Kulturës deklaroi se, nuk duan më premtime, por zgjidhje të këtyre problemeve.

“Me këtë marsh do të tregojmë se nuk duam më tepër deklarata, hedhje faji dhe përgjegjësie te të tjerët. Nuk duam premtime. Nuk duam të humbasim edhe një vit pa zgjidhje të problemeve tona”, tha Arsovska.

Nga ana tjetër, Ministria e Kulturës ka dalë me deklaratë mbështetëse të protestës.

“Ministria e Kulturës i mbështet punonjësit e kulturës në përmbushjen e kërkesave të tyre dhe në mënyrë të përkushtuar, së bashku me të gjithë faktorët në kulturë dhe me përfaqësuesit e SKRM-së dhe SASHK-ut, për më shumë se një vjet është duke punuar në përgatitjen e kushteve normative për miratimin e akteve ligjore moderne të cilat në periudhë më të shkurtër kohore do të mundësojnë realizimin e kërkesave të organizatave sindikale”, thanë nga Ministria.

Nga atje kanë njoftuar se procesi i përpilimit të Marrëveshjes Kolektive është në fazën përfundimtare.

“Propozim-ligji për realizimin e interesit publik në kulturë është kusht për përpilimin e Marrëveshjes Kolektive. Propozim-ligji është në fazën përfundimtare, dhe grupi i punës i fut vërejtjet e paraqitura përmes ENER-it dhe organeve kompetente, si fazë përfundimtare, përpara se tekstin ta dorëzojë në Qeveri për t’u miratuar”, thanë më tej nga Ministria.

Marsh – protesta u organizua nga Sindikata e Kulturës, ndërkaq filloi nga parku “Ibni Pajko”, për të vazhduar në drejtim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) dhe Ministrisë së Kulturës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button