Liderët politikë të RMV-së për zgjedhjet në Kosovë: Disa uruan Kurtin, e të tjerët Kosovën

Liderët politikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) kanë komentuar procesin zgjedhor në Kosovë. Partitë Alternativa, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët kanë uruar liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, e kurse Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka uruar Kosovën, transmeton Portalb.mk.

Lideri i Alternativës, Afrim Gashi ka deklaruar se, zgjedhjet mund të jenë fitore “e vogël” e VV-së, por është fitore “e madhe” shqiptarëve të Kosovës.

“Zgjedhje kuptimplote në Republikën e Kosovës. Urime popullit të Kosovës për këtë kulturë të lartë politike dhe për këtë arritje të madhe demokratike. Urime edhe mikut tim, Albinit. Kjo mund të jetë fitore “e vogël” e VV-së, por është fitore “e madhe” shqiptarëve të Kosovës.
Uroj që sa më shpejt të konstituohen edhe institucionet e reja për t’u përgjigjur në sfidat e mëdha që e presin Kosovën.
Zgjedhjet e mbrëmshme në Kosovë e patën edhe një porosi tjetër – po ndërrohen gjeneratat dhe po vjen një kohë e re me shpresë për të rinjtë dhe për vatrat tona.
Fryma e këtij ndryshimi do të reflektohet edhe matanë kufijve”, thuhet në urimin e Gashit.

Ndërkaq lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka vlerësuar se mbrëmë fitoi Kosova, dhe siç tha ai, në pritje të rezultateve përfundimtare, uroj të gjithë fituesit e besimit të qytetarëve.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe partitë e tyre politike demonstruan standarde evropiane në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, si gjatë fushatës ashtu edhe në ditën e votimeve, por edhe në pranimin e vullnetit të sovranit. Përgëzimet më të sinqerta për të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuuesit në këtë proces kaq të rëndësishëm në kohëra vendimtare për Kosovën dhe rajonin. Mbrëmë fitoi Kosova, ndërsa në pritje të rezultateve përfundimtare, uroj të gjithë fituesit e besimit të qytetarëve”, thuhet në urimin e Ahmetit.

Lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami ka uruar liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë ishin të një rëndësie shumë të veçantë. Maturia e qytetarëve që ju drejtuan kutive të votimit dhe e gjithë aktorëve politikë dëshmuan se ndajnë vlera evropiane, duke organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike.
Fitorja bindëse e forcave opozitare në Kosovë tregoi se po vjen një frymë e re ndër shqiptarët, e cila besoj të vazhdojë edhe me një fitore të tillë të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut në zgjedhjet e ardhshme!
Në emrin tim personal dhe të të gjithë anëtarëve të Lëvizjes BESA urojmë Albin Kurtin dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE! për Fitoren e zgjedhjeve të së dielës. Shpresojmë kjo te jetë një Ditë e Re për Shqiptarët dhe Kosovën. Urime Kosovë!”, thuhet në urimin e Kasamit.

Kurtin e ka uruar edhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

“Shqiptarët në Kosovë sot u përcaktuan për vlerën themelore të demokracisë, NDRYSHIMIN. Urime
Vetëvendosje, urime Albin..
Erdhi dita të mbash mbi supet e tua peshën e zhvillimit dhe progresit të Kosovës, të kthesh shpresën”, thuhet në urimin e Selës

Përndryshe, dje në Kosovë janë mbajtur zgjedhje parlamentare të parakohshme, ku nga numërimi i rreth 98 përqindëshit të votave, më së shumti vota ka pasur Vetëvendosje me 25.59 për qind. E dyta renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.87 për qind, dhe e treta Partia Demokratike e Kosovës me 21.06.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button