Wolvesi befasoi Cityn në shtëpi, fitojnë Arsenali e Chelsea

Dita e dytë e javës së tetë të Premierligës angleze ka sjellë befasinë e radhës për kampionin në fuqi të kësaj lige.

Manchester City, që në ndeshjen kundër Wolvesit hyri si favorit për të marrë pikë të plota, ndonëse pati posedimin dhe rastet për shënim, nuk arriti të tundte rrjetën kundërshtare në asnjë prej rasteve, raporton Koha.net.

Dhe, kur po zhvillohej minuta e 80-të e ndeshjes, mysafirët u nisën në një kundërsulm për të zhbllokuar rezultatin në 0-1 përmes sulmuesit Adama Traore.

Kur u mendua se kampionët anglezë nuk do të dorëzoheshin për të shpëtuar së paku një pikë, lojtarët e Wolvesit ndëshkuan për herë të dytë Cityn në minutën e 4-të shtesë, sërish përmes Traores.

Me këtë humbje, “Qytetarët” mbesin në pozitën e dytë në tabelë me 16 pikë gjithsejtë, 8 pikë larg kreut të tabelës, Liverpoolit, të cilët nuk dinë për humbje apo barazim në këtë sezon të Premier Ligës.

Kurse Wolvesi është ngjitur në pozitën e 11-të me një pikë më shumë se Manchester Unitedi, por që ka një ndeshje më pak të cilën e zhvillon sot nga orën 17:30 si mysafir i Newcastlet.

Në ndeshjen tjetër, skuadra e Unai Emeryt ka shënuar fitore minimale në shtëpi kundër Bournemouthit.

Golin e vetëm e shënoi mbrojtësi David Luiz në minutën e 9-të të ndeshjes.

Me këtë fitore, Arsenali ngjitet në pozitën e 3-të me 15 pikë, një më pak se City e një më shumë se Leicesteri.

Chelsea ka shënuar fitore bindëse si mysafir i Southamptonit me rezultatin 1-4.

Abraham e Mount shënuan për epërsinë e dyfishtë të skuadrës së Frank Lampardit, por që kjo epërsi u ngushtua në pjesën e parë përmes Danny Ings në 1-2.

Por, ishte mesfushori Kante i cili në minutën e 40-të shënoi për rezultatin 1-3.

Për rezultatin final 1-4 u përkujdes i inkuadruari nga banka rezervë, Batshuayi.

Kjo fitore e ngrit Chelsean në pozitën e 5-të me 14 pikë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button