Amerikanët nuk e njohin Amerikën!

Siç ka raportuar “Washington Post” muajin e kaluar, 15 për qind e republikanëve nga Ohajo besojnë se kandidati i tyre për president të shtetit, Mitt Romney ka më shumë merita se Barack Obama në vrasjen e Osama bin Laden!? Ndërsa, dihet se në kohën e vrasjes së bin Ladenit, Mitt Romney nuk ishte i njohur si emër në politikën botërore.

Kjo mund të ketë të bëjë me psikologjinë e votimit dhe gabimet, por edhe me vetëmashtrim apo injorancë! Sidoqoftë,”Foreign Policy” sjell disa të dhëna tjera statistikore në lidhje me amerikanët, që befasojnë secilin. Sipas këtyre të dhënave, shumica e amerikanëve, 41 për qind e tyre, besojnë se Kina është fuqia më e madhe ekonomike në botë (sipas anketës së institutit PEW). Përgjigja e saktë në fakt është: SHBA-të e jo Kina. Këtë përgjigje e kanë dhënë 40 për qind e të anketuarve.

E çuditshme por e vërtet! 73 për qind e amerikanëve nuk e dinë se komunizmi ishte shqetësimi më i madh i amerikanëve gjatë Luftës së Ftohtë, raporton “Newsweek”.

Nëntë për qind e amerikanëve kanë frikë se do të jenë viktima të terrorizmit, thotë anketa e AP-GFK, ndërsa sipas revistës “Reason”, gjasat për të vdekur nga duart e terroristit janë një në 20 milionë. Bile, në pesë vitet e kaluara gjasat ishin katër herë më të mëdha të vritesh nga rrufeja sesa nga dora e terroristit. Por, ja që kështu amerikanët nuk mendojnë.

Gati 25 për qind e amerikanëve nuk e dinë se Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur pavarësinë nga Britania e Madhe.

Sipas një ankete të realizuar nga CNN dhe “Opinion Research Corporation”, madje 71 për qind e amerikanëve besojnë se Irani tashmë ka armë bërthamore, ndërsa dihet se politika globale po ndërmerr masa për ta parandaluar Iranin nga një tentim i tillë.

Amerikani mesatar mendon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpenzojnë 27 për qind të buxhetit federal për dhënien e ndihmave të huaja, thuhet në anketën e realizuar nga “World Public Opinion”, ndërsa kriza e borxheve e dëshmon të kundërtën.

Qytetarët amerikanë, 33 për qind e tyre, besojnë se Saddam Husseini ishte personalisht i përfshirë në sulmin terrorist të 11 shtatorit 2001, thotë anketa e realizuar nga “CBS News” dhe New York Times”.

Jo më pak se 88 për qind e amerikanëve nuk kanë mundur ta gjejnë Afganistanin në hartë, 75 për qind e tyre nuk kanë mundur ta gjejnë Iranin dhe Izraelin, ndërsa 63 për qind e tyre nuk e njohin Irakun, thotë anketa e bërë nga “Roper Public Business” dhe “National Geographic Society”, ndonëse politika e jashtme amerikane ishte më së shumti e përqendruar në këto shtete. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button