Vetëm dy shqiptarë te Zvicra

Vetëm dy futbollistë shqiptarë janë ftuar te Zvicra për dy ndeshjet e ardhshme të eliminatoreve për “Euro 2020”.

Zvicra më 12 tetor luan në udhëtim ndaj Danimarkës, ndërsa më 15 tetor e pret Irlandën. Seleksionuesi Vladimir Petkoviq të premten ka publikuar listën me emrat e lojtarëve të ftuar, në të cilën gjenden edhe emrat e Granit Xhakës e Admir Mehmedit, transmeton Koha Ditore.

Xherdan Shaqiri ka mbetur jashtë për shkak të lëndimit, ndërsa Albian Ajeti për faktin se nuk po luan. Shaqiri nuk ishte grumbulluar në dy ndeshjet e shtatorit, por në mesjavë është arritur marrëveshja që ai të mbetet te Zvicra, pas mosmarrëveshjeve që kishte me seleksionuesin. Por lojtari i Liverpoolit mungon për shkak të një lëndimi të kofshës.

“Unë e dua Xherdanin, unë gjithnjë do ta dua atë, si lojtar dhe si qenie njerëzore. Gjithnjë kam thënë se kemi bashkëpunim të mirë. Por gjithnjë do të mundohemi që raporti të jetë edhe më i mirë”, ka thënë Petkoviq në konferencë për shtyp të premten.

Ai nuk ka dhënë shumë detaje për bisedën e zhvilluar me Shaqirin, të mërkurën në Liverpool. Ka thënë se disa gjëra mbesin vetëm në familje dhe nuk bëhen të ditura.

Ka thënë se Shaqiri gjithnjë i ka takuar familjes së përfaqësueses së Zvicrës. Ndërkohë me kthimin e Stephan Lichtsteinerit, Granit Xhaka do të mbetet pa shiritin e kapitenit, nëse Lichtsteiner starton.

Po të premten është bërë e ditur se Xherdan Shaqiri po ndërton shtëpi në një lagje ku jetojnë shumë yje. Ai po ndërton shtëpi në afërsi të Liverpoolit, ku kanë jetuar edhe Cristiano Ronaldo, David Beckham, Mario Balotelli e Rio Ferdinand, ka njoftuar “Blick”.

“Unë jam i interesuar në shitblerje të pronave. Kam disa prona në Zvicër po ashtu. E imagjinoj veten në këtë punë pasi të përfundoj karrierën”, ka thënë Shaqiri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button