Jeniçerizmi në romanet e Luan Starovës

E ndërlidhur ngushtë me temën e ekzistencës dhe të identitetit, në Sagën ballkanike të Luan Starovës është dhe tema e jeniçerizmit. Ajo e ka preokupuar autorin qysh kur nisi studimet e thukta e të gjithanshme mbi veprën e poligrafit të shquar shqiptar Faik Konicës, për të cilin libri më i mirë i gjithë kohërave ishte ai i Leon Kahun-it Hasan Jeniçeri, ku gjeniu ynë gjeti fatin shqiptar dhe atë ballkanas. Për fenomenin e recikluar ndër shekuj të këtij fenomeni Starova flet me gojën e Babait kryepersonazh të romanit të tij serik: Mallkim më të madh se jeniçeria s’ka pasur në botë. Jeniçeria ringjallet, si të thuash, nga hiri i të vdekurve, pothuaj në çdo qindvjeçar… Ja përse shumë njerëz, edhe kur mbaroi institucioni i jeniçerëve, mbetën jeniçerë në jetë.

Të dhëna interesante për jeniçerizmin Starova gjeti edhe në librat e shumëllojshëm të bibliotekës së babait që kishin të bëjnë me ndryshimin e identitetit etnik e fetar të fëmijëve të vendeve të pushtuara nga Perandoria osmane. Kjo bëhej për nevojat e ushtrisë së re të Perandorisë, prej të cilës dilnin ushtarë që ndaj të vetëve ishin shpesh më të rreptë se të tjerët.

Përndryshe, ideja e regrutimit të ushtarëve me tjetër identitet nuk është shpikje e Perandorisë osmane. Ajo është aplikuar edhe në perandori shumë më të hershme, si: perandoria romake, fallanga maqedonase, strellcovët e perandorisë ruse, ushtritë mercenare… Por, te perandoria osmane, veçanërisht në shekujt e parë të ekzistimit të saj, jeniçerizmi funksiononte si një lloj sistemi, si institucion më vete.

Jeniçeri nuk është vetëm ushtari. Fatin e tij mund ta ketë dhe një vezir, një pasha, një vali dhe shumë personalitete të rangut më të lartë. Jeniçerizmi nuk lidhet vetëm me një periudhë kohore, as vetëm me profesionin e një ushtaraku. Ai është prezent kudo, pra edhe në kohën tonë, edhe në mesin e shkrimtarëve dhe intelektualëve, si puna e Sami Frashërit, këtij autori të preferuar rilindas, aq të ngjashëm për nga fati jetësor me babain dhe birin e tij autor e narrator.

Ja si e pasqyron Starova sindromin e jeniçerizmit: Babai e kishte mësuar mirë prej librave se jeniçerë, me emra të tjerë, por me qëllime të njëjta, kishte pasur edhe në perandori të tjera. Kishte pasur dikur në Perandorinë e lashtë Kineze, në Perandorinë Romake, në Perandorinë Austro-Hungareze, madje edhe në perandoritë më të reja, sidomos në perandorinë e Stalinit. Në të vërtetë, a nuk ishte edhe vetë Stalini jeniçer? Po, jeniçeri tërheq jeniçerë. Ky është mallkim, një rreth vicioz!

Nga kjo del se jeniçerllëku nuk është një makth i momentit, po një vetëdije e shtresuar brenda njerëzve, një fatalitet që ndoshta kurrë nuk mund të shkulet që andej. Në këtë pikë, babai duket fatalist: Nëse ishin zhdukur perandoritë në Ballkan, nuk ishte zhdukur shpirti i jeniçerëve, që i lidhte ata mes tyre.

Për babain kjo është pasojë e shekujve të kaluar nën pushtetet e huaja, zgjatimit të sindromit që vazhdon t’u sjellë popujve të Ballkanit kobe të papërshkrueshme edhe në kohën tonë, natyrisht në variante tjetërfare e të sofistikuara.

Autori e ndjenë këtë, ashtu siç e ndjente një shekull përpara tij Konica i madh, i cili, pikërisht për çrrënjosjen e kësaj mendësie iu fut me vetëdije të plotë lëvrimit të shkëmbit…

Te romani Dashuria e gjeneralit jeniçerizmi pasqyrohet në skenën kur ushtarakët albanofilë francezë përpiqen ta shpëtojnë popullin fatkeq shqiptar, të gjendur midis zjarresh dhe pretendimesh okupuese serbo-greke, por në këtë i pengonin vetë krerët shqiptarë të Pogradecit e të Korçës, që nuk e duronin dot njëri-tjetrin dhe spiunonin te ushtria franceze. Në një moment, kjo situatë u bë e padurueshme dhe i detyroi ushtarakët francezë t’i ftojnë në një tubim të përbashkët dhe t’ua nxjerrin sheshit të gjitha të palarat, me shpresë se do të marrin mësimin e duhur.

Përsiatjet e gjata rreth jeniçerizmit të shqiptarëve, e sollën autorin tek përfundimi se shqiptarët nuk i kanë absorbuar/ përjetuar antagonizmat dhe kundërthëniet në mënyrë agresive dhe në dëm të të tjerëve, të pafajshimve, si disa popuj të tjerë ballkanas. Ai është i bindur se popujt e ballafaquar me statusin e “pakicës” brenda oqeanit të tjetrit, janë më tolerantë, gjë që mund më së miri të pasqyrohet me tolerancën ndërfetare të shqiptarëve, apo me qëndrimin e tyre ndaj hebrenjëve gjatë Luftës së dytë botërore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button