Komuna e Tetovës dy herë themelon ndërmarrjen për transport publik, por autobusë s’ka

Edhe pse nuk ka ende autobusë dhe as transport publik, kjo është hera e dytë që Komuna e Tetovës e ka themeluar ndërmarrjen për transport publik “Tetova Transport”. Njëherë në vitin 2014 dhe e fundit në shtator, kjo ndërmarrje që ka drejtor pritet të “bëhet e gjallë” kur Tetova të ketë automjete për transport. Deri atëherë, sërish presim, shkruan Portalb.mk.

Në nëntor të vitit 2014, këshilli i Komunës së Tetovës ka marrë Vendim për themelimin e ndërmarrjes për transport publik që mund të shihet në Gazetën zyrtare në Komunën e Tetovës nr. 12/2014, (faqe 9-13), të publikuar më 19.11.2014.

Kjo ndërmarrje për vite me radhë ka qenë jofunksionale, nuk ka pasur asnjë autobus, ndonëse me vite është premtuar që të njëjtat do të blihen. Tetovarët vazhdojnë të presin për transport publik.

LEXO: Tetovarët akoma presin transportin publik!

Meqë ndërmarrja nuk ka arritur të vihet në funksion, edhe pse ka pasur Këshill udhëheqës dhe mbikëqyrës, e njëjta ndërmarrje publike për transport publik është themeluar për të dytën herë, kjo vjen si rezultat i asaj që nuk ka arritur të vihet në funksion dhe e njëjta ka pushuar së vepruari automatikisht shkaku i afateve ligjore për funksionalizim të së njëjtës.

Kjo ka ngjallur reagim te qytetarët që thonë se tashmë kanë “dy ndërmarrje për transport publik, por nuk kanë autobusë për transport”.

LEXO: Ku mbeti transporti urban në Tetovë? Përgjigjja është në këtë video

Megjithatë, drejtori i ndërmarrjes publike për transport publik NP “Tetova Transport”, Fejsal Beadini, për Portalb.mk thotë se nuk bëhet fjalë për themelim të një ndërmarrje paralele por përsëritje të procedurës për themelim.

“Nuk bëhet fjalë për themelim të një ndërmarrje paralele mirëpo për përsëritje të procedurës për themelim, në mënyrë që aktet e themelimit të jenë valide në momentin kur të njëjtat do t’i adresohen regjistrit qendror për regjistrim dhe ndërmarrja të filloj së funksionuari. Këto akte tanimë do të dërgohen në Regjistrin Qendror porsa të njëjtat të bëhen zyrtare dhe të shpallen në fletoren zyrtare të Komunës së Tetovës në afatin e paraparë ligjor”, tha për Portalb.mkBeadini.

Sa i përket organizimit të transportit publik në Tetovë, Beadini thotë se oraret, linjat dhe stacionet e autobusëve janë në fazë të përgatitjes dhe janë ende të papërfunduara.

“Sa i takon linjave, orarit dhe stacioneve të autobusave të njëjtat janë në fazë të përgatitjes dhe janë ende të papërfunduara, në momentin që ato do të jenë gati do t’i dërgohen Këshillit Komunal për miratim dhe do të bëhen publike”, tha Beadini.

Ndryshe, nga komuna njoftuan se kanë aplikuar për huamarrje në Ministrinë e Financave me projektin MSIP 2 për blerje të autobusëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button