Rumena Filipova: Oligarkët në Bullgari janë kontrolluesit më të mëdhenj të mediave dhe dezinformatorë

Dr. Rumena Filipova ka doktoraturë në Marrëdhënie ndërkombëtare nga Universiteti i Oksfordit, ku edhe ka magjistruar, ndërsa është diplomuar në universitetin e Kembrixhit. Ajo ka ligjëruar në Oksford dhe ka qenë një eksperte mysafire edhe e Karnegi qendrës në Moskë, Institutit Polak për çështje ndërkombëtare, Çatam Haus dhe shumë institucione tjera ndërkombëtare dhe think tanke.

Tani është hulumtuese në “Qendrën për studim të demokracisë” në Bullgari, organizatë ndërdisiplinore e përkushtuar për demokraci dhe ekonomi të tregut. Ndër shumë punime dhe projekte të tjera për të cilat ka punuar, Dr. Rumena Filipova, së bashku me kolegun e saj Dr. Todor Galev, është autore e analizës “Ndikimi rus në sektorin e mediave në shtetet e Detit të Zi: Veglat narrativat dhe opsionet politike në ndërtimin e rezistencës („Russian Influence in the Media Sectors of the Black Sea Countries: Tools, Narratives and Policy Options for Building Resilience“) në të cilën e shqyrton narracionin rus, përkatësisht dezinformatat dhe informacionet e parregullta dhe transmetimin e tyre në mediat e vendeve të Ballkanit. Siç thuhet në punimin e mësipërm, ndër shumë hapat e Moskës zyrtare për Luftë të re, post Luftës Ftohtë, është përdorimi intensiv i propagandës mediatike dhe dezinformatave. Në një intervistë për Meta.mk, ajo flet për këto tema.

Ka shumë që punoni në studimin e ndikimit rus dhe manovrat e politikës së jashtme të Rusisë, ndërsa “luftën mediatike” që ajo po e bën e keni hulumtuar edhe në analizën që e keni përgatitur me kolegun tuaj Galev. Cilat janë gjetjet kryesore për përhapjen e narracionit rus në vendet ballkanike të Detit të Zi?

“Studimi e hulumton përhapjen e narracioneve propaganduese ruse në Bullgari, Ukrainë, Gjeorgji, Armeni dhe Moldavi në periudhën 2015 dhe 2017, me fokus të veçantë në tre temat më të spikatura të dezinformatave që kanë dalë nga Kremlini, përfshirë luftën në Siri, projektet e mëdha energjetike dhe përzierja në zgjedhje. Gjetjet kryesore të hulumtimit janë që skemat e pronësisë, varësia ekonomike dhe lidhjet politike (jo)formale të mediave me grupe dhe interesa pro-ruse në vendet ku kemi bërë studime reflektohen në tendencat përkatëse të përdorimit të narrativeve propagandistike që vijnë nga Rusia. Përkatësisht, nëse merret në përgjithësi, sa më i madh të jetë ngatërrimi politik dhe ekonomik i mediave me interesat ruse, po aq në mënyrë më besnik dhe me nivel më të madh reflektues transmetohet përmbajtja e narracionit rus, e aq më pak janë të pranishme variantet analitike dhe perspektivat me orientim kombëtar dhe stili i raportimit bëhet po aq hapur dhe me tifozllëk. Sigurisht, tiparet dalluese të peizazheve të mediave kombëtare në secilën nga pesë vendet e forcojnë ose e shtypin propagandën ruse, duke krijuar diskurse specifike mbi zhvillimet e ngjarjeve që ndërlidhen me Rusinë.”

A i keni identifikuat media që janë transmetuesit më të zëshëm të narracionit rus?

“Rezultatet e studimit treguan se transmetuesit më të zëshëm dhe më këmbëngulës – dhe, në fakt, më qëllimkëqijtë, që i shtyjnë narracionet ruse, janë oligarkët lokalë dhe rrjete të oligarkëve të cilat financiarisht dhe politikisht janë të lidhura me Rusinë. Këta transmetues oligarkikë (formalisht ose jo-formalisht) e kontrollojnë politikën redaktuese dhe strukturat e pronësisë së mediave me ndikim kombëtar. Për më tepër, duke “kultivuar” një komunitet të madh të krijuesve të përmbajtjeve dhe transmetuesve të përmbajtjeve të tilla, besnikë ndaj Kremlinit ose të varur prej tij (siç janë faqet, e vogla dhe të mesme, të lajmeve gazetarë, blogerë, krijues të qëndrimeve në rrjetet sociale), e garanton shpërndarja e fortë të mesazheve nga Rusia. Është e qartë se mediat që janë në pronësi të drejtpërdrejtë të qeverisë Ruse dhe ato që transmetojnë përmbajtje prej tyre janë kanalet më të njohura të propagandës.”

Në përgjithësi, cilat janë manipulimet dhe dezinformatat më të spikatura në Bullgari?

“Mediat kombëtare pro-ruse transmetojnë tregime që janë të vendosura në diskursin konservativ rus, duke i theksuar virtytet e sovranitetit shtetëror (veçanërisht në lidhje me projektet që lidhen me Rusinë ose mosmarrëveshjet me disa politika të BE-së), familjen tradicionale, ardhja në skenë e rendit “demokratik” ndërkombëtar shumë-polar dhe kritikë e tendencave sociale, ekonomike dhe politike të Perëndimit,duke e përfshirë aty edhe liberalizmin dhe multikulturalizmin. Një temë specifike që i nënshtrohet propagandës së fortë është energjia. Pjesa më e madhe e vëmendjes së mediave, për shembull, u përqendrua në anulimin e “Rrjedha e Jugut” që u paraqit – në përputhje me pohimin e Kremlinit, si gabimi i Bullgarisë që buron nga nënshtrimi i plotë i Komisionit Evropian përballë kinse interesave të vërteta ekonomike të vendit. Është argumentuar se politikanët dhe drejtuesit rusë do të qëndrojnë fort kundër thirrjeve të Bullgarisë për rinovimin e rrjedhës së Jugut ose vazhdimin e “Rrjedhës Turke” në të gjithë territorin e saj, si një formë ndëshkimi për mungesën e bashkëpunimit dhe dobësisë së Sofjes. Por siç e shohim tani, “Rrjedha turke” do të kalojë nëpër territorin bullgar në variantin e quajtur “Rrjedha e Ballkanit”.”

A kanë ndonjë plan autoritetet bullgare për të luftuar dezinformatat  dhe promotorët  e tyre? Sa janë ata aktivë në këtë fushë, përkatësisht çfarë është bërë deri më tani në luftën kundër manipulimeve dhe dezinformatave?

“Iniciativa më e re në nivel qeveritar ishte krijimi i një Njësie për luftë kundër dezinformatave brenda Këshillit të Ministrave (qeveria bullgare) si pjesë e Planit aksionar kundër dezinformatave për masa të koordinuara nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Por rezultate të dukshme nga funksionimi i këtij departamenti s’ka- nuk dihet se sa raste të dezinformatave janë regjistruar nga Brukseli e deri tani nuk ka pasur asnjë mohim të profilit të lartë të lajmeve të rreme. Ai konsiderohet si proces i udhëhequr nga BE-ja, e jo Bullgaria. Në fakt, shumë njerëz në vend e shohin qeverinë të paktën si një vëzhgues e në rastin më të keq si një promovues aktiv në procesin e oligarkizimin e skenës mediatike të vendit, që në të vërtetë i ka mundësuar transmetimet propagandistike nga Rusia. Me dezinformatat trajtohet kryesisht nga OShC-të përmes analizave, përdorimit të veglave për onlajn monitorim (me të cilat gjurmohet origjina, progresin dhe ndikimi i aktiviteteve të dezinformimit) e përmes ngjarjeve për të rritur kapacitetin e gazetarëve.”

Sa shpesh Maqedonia Veriore është subjekt i dezinformatave dhe manipulimeve mediatike? A ka ndonjë ndryshim viteve të kaluara për mirë apo për keq?

“Në përgjithësi, impulsi pozitiv që marrëdhëniet midis dy vendeve i kanë përfituar që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së fqinjësisë në gusht 2017 u reflektua edhe në mbulimin më entuziast të mediave për mundësitë për bashkëpunim “win-win” (“fitim-fitim”) midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Sidoqoftë, pjesët e spektrit të mediave bullgare të lidhura me qarqet nacionaliste dhe ruse e kanë ruajtur perspektivën që e thekson “mbrojtjen e interesave kombëtare dhe të vërtetën historike”. Për shembull, këto qarqe ankohen se Marrëveshja e Miqësisë nuk mbron sa duhet, interesat kombëtare bullgare (në kuptimin e shfrytëzimit të përfitimeve ekonomike dhe politike dhe mbrojtjes së historisë).

Në përgjithësi, mediat pro-ruse bullgare angazhohen për “ekonomizim” të zgjidhjeve për problemet e Maqedonisë sëVeriut dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor (përfshirë edhe përmes bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën), në kundërshtim me ankorimin gjeopolitik në BE dhe NATO që raportohet kinse nuk mundëson perspektivat ekonomike dhe përqendrohet vetëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve historike. Tregimet e tilla gjejnë tokë pjellore në të dy anët e kufirit dhe do të kërkojnë shumë komunikime dhe diskutime të hapura për t’i frenuar ato. Pavarësisht sa e vështirë është të bësh diçka të tillë në Ballkan.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button