Kur përgëzohet puna e një komune, nuk duhet tepruar me krahasime të padëshmuara

Burimi: KriThink

Paraqitja e komunave si më të mirat në raport me komunat tjera, është bërë traditë e disa mediave duke u bazuar kështu në burim të informatave të njëanshme – në vetëm për një komunë, duke anashkaluar të dhënat për komunat tjera. Kjo bën që gazetarët të mos jenë të balancuar dhe të mos u japin hapësirë gjitha palëve të përfshira në artikull. I tillë është lajmi që e recensojmë.

TV Koha: Komuna e Zhelinës sfidon komunat urbane

Linku deri te artikulli origjinal: “KOMUNA E ZHELINËS SFIDON KOMUNAT URBANE”

Data e publikimit: 20.09.2019

Data e recensionit: 02.10.2019

Recensuese: Fatbardha Curri

“Komuna e Zhelinës siç duket është një ndër komunat më aktive në garën rajonale për të fituar projekte të rëndësishme që mundësojnë përmirësim të infrastrukturës lokale. Përmes karakterit garues,komuna e Zhelinës sfidon komunat urbane, veçanërisht së fundi me aplikimin e suksesshëm në projektin “Mbështetje nordike për Progresin e Maqedonisë së Veriut””, thuhet në lajmin që e recensojmë.

Megjithëse vlerësimi mund të jetë i vërtetë, që ai të jetë i besueshëm, doemos gazetari është dashur ta dëshmojë me fakte vlerësimin e tij  “në një ndër komunat më aktive”.

Më konkretisht, gazetari është dashur të japë të dhënat për:

  • Cilat janë komunat tjera të cilat Zhelina i sfidon apo është në të njëjtin nivel?
  • Cilat janë arritjet më të mëdha të kësaj komune?
  • Cilat janë arritjet e komunave të tjera?

Kjo është në kundërshtim me Kodin Etik të Gazetarëve.

“Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike”, thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve.

Aplikimi në projekte nuk është garë për të shpallur komunat më të mira, ka parametra të tjerë

Megjithëse më poshtë citohet burimi i informacionit i cili është UNOPS, sërish  ai është jo-relevant për vlerësimin “në një ndër komunat më aktive”. Aplikimi në projekte mund të jetë një lehtësim për menaxhim komunal në realizimin e projekteve, por s’mund të jetë parametër për të ranguar komunat si më të mira dhe urbane.

“Nga rezultatet e shpallura nga UNOPS, Komuna e Zhelinës arriti të rangohet në top katër komunat fituese të këtij projekti. Vlera e këtij projekti në total do të arrijë 140.000 euro, kurse 90.000 USD janë siguruar nga Ambasada e Norvegjisë përmes UNOPS”, thuhet në lajmin që e recensojmë.

Për t’i shpallur komunat si më të mira, ato doemos duhet të maten në po të njëjta parametra apo indikatorë me komunat tjera, si për shembull në nivelin e transparencës dhe llogaridhënies.

Koncepti i manipulimit: Fakte selektive

Duke u paraqitur të dhënat të vetëm komunës së Zhelinës, dhe jo të komunave tjera në raport të së cilave jo paraqitet ndër më e mira, në artikullin gazetaresk është shfrytëzuar koncepti i manipulimit “Fakte selektive”. Kjo bëhet me qëllim që të transmetohen vetëm të dhënat që i përshtaten artikullit.

Për lexuesit: Puna e komunave duhet përshëndetur, pa teprime me informata të paverifikuara!
Është për tu përshëndetur puna e një komune, dhe ia vlen të bëhet lajm kur vërtetë realizohen projektet. Por ama, gjithnjë gazetari duhet të prezantojë fakte sidomos nëse lajmet e tilla i bën duke e krahasuar një komunë me tjerat. Nëse lavdërohet një komunë, kjo duhet të bëhet në mënyrë adekuate me dëshmi dhe të dhëna të verifikuara.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button