Titulli duhet të jetë i përshtatshëm me tekstin e lajmit dhe jo nxitës

Burimi: KriThink

Arsimi është një prej të drejtave themelore që e garanton Kushtetuta. Po ashtu, arsimimi në gjuhën amtare. Prej këtu duhet të fillojë iniciativa e çdo gazetari për të informuar për rastet ku kjo e drejtë nuk sigurohet. Me raste të tilla, mediat në vend mbushin shpesh hapësirën e tyre informative. Ideja për lajmin që e recensojmë është e qëlluar por qasja nga e cila fillon që në titull, jo.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: Krerët e LSDM-së nuk u mundësojnë shqiptarëve arsimim në gjuhën shqipe

Data dhe koha e publikimit: 25.09.19

Data e recensionit: 28.09.2019

Recensuese: Fatlume Dervishi

“Nuk do të ketë paralele në gjuhën shqipe në shkollën Njegosh të Idrizovës.” Kjo fjali është gjithë baza e lajmit. Problemi ekziston një kohë më të gjatë dhe interesimi i mediave dhe kërkimi i llogarisë nga institucionet, shumë i arsyeshëm.
Ja si është sqaruar për opinionin Komuna e Gazi Babës:

“Në kumtesën e komunës së Gazi Babës që drejtohet nga kuadri i LSDM, Boris Georgievski thuhet se kërkesa për hapje të një parale të re është bërë me vonesë,…
Gjithashtu, në vendimin e komunës Gazi Babë nënvizohet se paralelja e re duhet të shoqërohet edhe me 10 punësime të reja për të cilat duhet kërkuar pajtueshmëri edhe nga Ministria e Financave…
Përveç arsyetimeve të lartpërmendura, nga komuna kërkojnë që prindërit që fëmijët ti dërgojnë në shkollën fillore të fshatit Ognjancë për mësim në gjuhën shqipe, ku edhe do të organizojnë transport për 11 nxënësit. Por, prindërit nuk pajtohen me këtë vendim.” – shkruan autori në tekstin që recensojmë.

Çfarë mund të ishte bërë më shumë?

Komuna e Gazi Babës praktikisht e ka hedhur përgjegjësinë nga vetja. Autori nuk jep sqarime se kush dhe pse e ka vonuar kërkesën në Komunë. Ku qëndron pengesa për zgjidhjen e këtij problemi që zgjat me vite? Përgjigjet nuk i kemi!

Titulli, i papërshtatshëm

Titulli është përgjithësues dhe nxitës. Ai nuk tregon se për çfarë konkretisht bëhet fjalë, për cilin nga “krerët e LSDM-së” dhe për cilën shkollë. Në këtë rast, ndarjen e ka bërë në baza etnike dhe prek emocionet e lexuesve shqiptarë. Pavarësisht se sa e ndjeshme mund të jetë edhe për autorin kjo temë, ai duhet të jetë korrekt dhe objektiv gjatë informimit. Kjo gjë shumë qartë rregullohet edhe me Kodin etik të gazetarëve.

“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)” – shkruan në Kodin etik të gazetarëve.

Teknikat e manipulimit

Në tekst shfrytëzohen vetëm dëshmi selektive që nuk e vërtetojnë atë që autori paralajmëron në titull. Janë bërë përgjithësime në titull dhe nxiten emocione në baza etnike. Me shfrytëzimin e këtyre metodave, pasqyrimi dhe konkluzioni në titull, janë subjektive.

Për lexuesit: Dalloni tendencën në shkrimet e tilla

Lexuesi duhet të dijë se konkluzionet e këtilla me përgjithësime në vija kaq të trasha për një parti vetëm për shkak të një rasti, janë tendencioze. Informacionet që ka teksti në brendësi janë shumë të rëndësishme dhe duhet ta kishin nxitur gazetarin të nxjerrë deri në fund të vërtetën duke dhënë sqarime të tjera por gjithashtu edhe duke e mbuluar atë në mënyrë sa më objektive.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button