fbpx

GOLDSMITHI MBI PARAGJYKIMET KOMBËTARE

Historia dëshmon se si shkrimtarët, duke u nisur nga paragjykimet kombëtare, e kanë demonizuar “tjetrin” edhe nëpërmjet veprave të tyre letrare, ndonëse letërsia e ushqyer prej paragjykimeve kombëtare shkon drejt kiçit. Gjithashtu ka shumë shkrimtarë që i kanë luftuar paragjykimet kombëtare, kurse njëri prej tyre është Oliver Goldsmith-i (1728 – 1774).

Ky udhëtar i pasionuar, ky kritikues i shoqërisë perëndimore, ky emër i dalluar në Anglinë e shekullit XVIII, për të cilin thuhej se nuk kishte njeri më budalla kur s’e mbante penën në dorë dhe nuk kishte njeri më të zgjuar atëherë kur shkruante, shprehet qartë kundër ksenofobisë në sprovën “Mbi paragjykimet kombëtare”.

Goldsmithi e përshkruan një takim me disa zotërinj, të cilët diskutonin për problemet politike dhe për mentalitetin e kombeve të Evropës. Anglezët, sipas tyre, dalloheshin nga popujt tjerë të botës për nga trimëria, zemërgjerësia apo kthjelltësia. Njëkohësisht ata flisnin me përçmim për kombet tjerë evropianë: për holandezët, francezët, spanjollët ose gjermanët.

Për Goldsmith-in ata ishin vetëm disa pseudo patriotë, që nuk e pranonin asnjë mendim të kundërt, kurse çdo oportunizëm për temën në fjalë e konsideronin si mungesë patriotizmi.

Kur Goldsmith-it iu kërkua një përgjigje e prerë mbi këtë temë, ai tha se nuk mund të fliste me kaq siguri për sa kohë nuk kishte udhëtuar nëpër gjithë Evropën që t’i shihte sjelljet e popujve për të cilët flitej. Goldsmith-i nuk udhëhiqej nga paragjykimet.

“A nuk është e mundur që ta dua vendin tim dhe njëkohësisht të mos i urrej banorët e vendeve tjera? Të dëshmoj guxim heroik dhe vendosmëri të pathyeshme në mbrojtjen e ligjeve dhe lirisë së vendit tim dhe sërish të mos e përçmoj pjesën tjetër të botës duke e parë atë si qyqare dhe lajkatare? E them me siguri të plotë: mundet”, thotë Goldsmith-i.

Shkrimtarët mund të japin kontribut të çmuar kundër paragjykimeve kombëtare, ashtu sikurse mund të ndikojnë edhe në drejtimin e kundërt. Shembujt janë të shumtë në të dy rastet. Kemi edhe shembuj të freskët. Megjithatë, bijtë më të mirë të popujve janë ata që e kultivojnë ndjenjën e bashkëjetesës dhe të solidaritetit ndërmjet kombeve. Janë ata që kujdesen jo vetëm për lirinë e tyre, por e mbrojnë edhe lirinë e “tjetrit”, sepse kur “tjetri” nuk ndjehet i lirë, herët ose vonë, do të cenohet edhe liria yte.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button