Fronti 21/42: Ohri është larg nga përmbushja e rekomandimeve të UNESCO-s

Ekologët kritikojnë se katër muaj para skadimit të afatit, rekomandimet e UNESCO-s për rajonin e Ohrit nuk janë përmbushur. Fronti 21/42 thekson se vendi ynë nuk është as për së afërmi angazhimit thelbësor për përmbushjen e tyre, pasi Ligji vendimtar për rajonin e  Ohrit nuk është miratuar nga Parlamenti, njofton META, transmeton Portalb.mk.

Kjo shoqatë qytetare përkujton se s’është përgatitur Vlerësimi strategjik i ndikimit mbi mjedisin jetësor për Planin e menaxhimit me rajonin, ndërsa vendimet për të aprovuar moratorium të përkohshëm për ndërtim në Strugë dhe Ohër janë përshtatur me kujdes për të lejuar që të vazhdojë transformimi urban i bregut të liqenit edhe në periudhën në vijim.

“Në Planin aksionar të komunave Ohër dhe Strugë, Studimet për ndikimin e ndërtimeve të regjistruara të paligjshme mbi vlerat e trashëgimisë së jashtëzakonshme universale janë planifikuar vetëm për në vitin 2021”, paralajmëruan nga “Fronti 21/42”.

Sipas tyre, nuk ka asnjë arsye logjike përse procedura kryesore për ballafaqim me ndërtesat e paligjshme të vonohet për një periudhë kaq të gjatë. Fronti 21/42 gjithashtu përkujton se Komuna e Debarcës s’ka as plan as qëllim të ndalojë legalizimin e ndërtesave pa leje, ndërsa vetëm nga korriku në territorin e kësaj komune janë legalizuar 25 ndërtesa të reja të paligjshme.

“Këto ditë në publik është aktuale prishja e platformave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në vetë liqenin në disa objekte hotelerike në brigjet e Liqenit të Ohrit. Ne duam ta sqarojmë se: kjo s’ka fare lidhje me rekomandimin nr. 9 të UNESCO-s për përballje me ndërtimet e paligjshme”, theksohet në komunikatën e “Fronti 21/42”.

UNESCO i ka dhënë Komunës së Ohrit afat deri më 1 shkurtit 2020 për të zbatuar rekomandimet për mbrojtjen e pasurive natyrore. Nëse këto rekomandime nuk përmbushen, Komiteti i UNESCO-s në seancën e radhës në vitin 2020 do ta përfshijë rajonin e Ohrit në listën e Trashëgimisë botërore në rrezik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button