Sërish në Titanik!?

Anija “Titanik” u pat fundosë njëqind e katër vite më parë, kurse te ne një “Titanik” tjetër tri vite më pare për pak kishte shpëtuar nga fundosja. Por, në momentin e fundit ekuipazhi i tij i përbërë nga shumë pirate e kusarë kishte ikur, sikur përgjithmonë. Por, në fakt u mashtruam, pasi anijen që paraprakisht e kishin lëshuar mbi 600 mijë udhëtarë të përvuajtur që kishin ikur diku jashtë shtetit pa kthim, vazhduan ta lëshojnë akoma të tjerë, madje me tempo akoma më të shpejtë. Na ndodhë eksod i pa pare! Sepse si duket ekuipazhi i ri s’di kah dhe ku i çon! Në fakt, tani këtu nuk bëhet fjalë për ashtu far ekuipazh piratësh e kusarësh që plaçkitshin, dhunojnë apo vrasin, por ekuipazh i cili përveç kursit euroatlantik, s’di gjë tjetër.

Nga tri burime të njohura ndërkombëtare qe konfirmuar se përgjatë dhjetë viteve të pushtetit të kaluar, nga shteti ishin zhdukur mbi pesë miliardë dollarë (shih Global Finacial Integritety)! Ekonomia e shtetit ishte rrënuar gati tërësisht dhe pasojat vazhdojnë. Tani jemi të ranguar në mesin e 10 shteteve me ekonomi më të dobët në botë. Gjithashtu organizata kyçe evropiane për shëndetësi “Europe’s Health Care Services “, në rangimin nga 1 gjer në 40, neve na ka ranguar në vendin e fundit. Pra vendin të 40 për nga cilësia e shërbimeve shëndetësore. Por, për diçka si duket jemi afër majës së botës, e kjo është radhitja për nga vdekshmëria e foshnjave.

Ndërkaq do shtete fqinje të cilat para dhjetë viteve ishin shumë prapa nesh, tani janë shumë më lartë të ranguara. Shqipëria është në vendin e 17, Bullgaria në vendin e 24, Serbia në vendin e 30  (madje kjo e fundit 10 vite ishte në luftë shkatëruese). Në vitin 2018 tek ne kanë vdekur mbi dy mijë persona më shumë se në vitin 2004. Si duket lopatat e politikanëve shërbejnë për të varrosur. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), për nga zhvillimi na ka ranguar në vendet e fundit në botë në shoqëri me Mozambikun, Kolumbinë, Nigerinë dhe Papua Guineja e Re etj. I vetmi progres është shënuar në sferën e lirisë se mediumeve, me çka për fat u patëm shkëputur nga Afganistani, Eritreja, Azarbajxhani etj.

Seriozisht te ne ngec zhvillimi ekonomik. Madje sikur pushteti as që ka ndonjë ide të bazuar në resurset dhe potencialet ekzistuese. Qeveria sillet sikur aspak s’ka interesim ta zhvilloj vendin e vet. Madje, si lojtar kryesor për zhvillim ekonomik ajo e mban një përfaqësues të odave ekonomike, i cili si duket ka marrë kompetenca ekskluzive në qeveri, që realisht çdokënd habit! Prezenca e tij në investime në fakt është konflikt interesi. Por, kryeministri edhe në festat shtetërore vazhdon të shoqërohet nga ai, në vend se me partnerët e koalicionit qeveritar apo pse jo edhe më gjërë. Sikur s’kupton se sa negativisht ndokush reflekton në masë.

Ndonjëherë më interesant është të shëtisni me ndonjë arushë se sa me dikë që s’paraqet asgjë, madje bizneset e të cilit si duket lidhen për qeverisë së kaluara famëkeqe. Ne kemi kushte ideale për zhvillim të një bujqësie dhe blegtorie moderne, që jo vetëm do t’i përmbushte kërkesat e brendshme për këto prodhime, por pjesë dërmuese e tyre edhe do të eksportohej në tregje atraktive. Përkundrazi, ne importojmë produkte ushqimore në vlerë prej më se 700 milion euro. Një absurd i vërtet i kohës, kur kemi parasysh çfarë kushtesh kemi. Ekspertët e kësaj branshe thonë se ne kemi objektiva që çdo vit të mund të eksportojmë prodhime të shumta bujqësore kualitative për tregun e UE-së, në veçanti prodhime organike në vlerë prej mbi tre miliardë euro! Por, për ketë nevojiten projekte, dije, profesionalizëm, përgjegjësi. Kurse asnjërën s’e kemi. Duhet edukim i bujqve të ri, gjë që nuk figuron në asnjë program qeveritar. Ne jemi ndoshta i vetmi shtet në botë që në servisin publik radiodifuziv s’kemi program ditor për bujqësinë, blegtorinë, ekologjinë!

Ndërkaq tani autorëve të “të çmendurve”,” budallenjve”, “indianëve”, sikur sërish iu kthehet fuqia. Ata premtojnë se si të vijnë në pushtet lumin do ta detyrojnë të ecë përpjetë. Marrëveshjen e Prespës si ”tradhti historike nacionale” radikalisht do e korrigjojnë. Gruevskin do e kenë mentor për atë se si duhet të duket teksti. Kurse kriminalitetin krejt do e stopojnë, derisa t’í harxhojnë ato pesë miliarda eurot që i kanë larë e shpërlarë kur ishin në pushtet. Do i mbajnë të gjitha premtimet me kusht që çdo ditë të jetë “1.PRILL”. Shpresojnë në harresën e zhvilluar tonën. Tani janë me të madhe duke ia përgatitur qeverisë aktuale disa ajsbergje të kobshme, që ta fundosin. Një milion euro i “vjedhur” nga do hajdutëve nga arka e një bash-hajduti (madje me dijen e tij), na qenka baras me shumat astronomike të plaçkitura nga gjithë ne të mjerët! Çka është interesante, bash-hajduti gjithë kohën thirr – mbajeni hajdutët! Por, kjo qeveri ka shumë faj e gabime. Ajo sikur amnistoi shumë të tillë. Zvarriti situata të domosdoshme që shkaktuan zvarritje të procedurave dhe djalli u ringjall. Madje, si duket pushteti bëri “dill” me shumë të tillë, a duhej ta di se kush me djallin hedhë valle këmbët i ngatërrohen e thyhen.

Pushteti nuk duhet të ketë shumë shpresë në të huajit, pasi ata permanent veprojnë në mënyrë pragmatike. Nëse autoriteti i kësaj qeverie vazhdon të bjerë, të jashtmit lehtë mund të orientohen nga ajo që më së paku në këtë moment pritet. Mjafton që Mickoski publikisht të distancohet nga Gruevski dhe çdo gjë mund të jetë shumë më ndryshe. Pasi në politik s’ka miqësi e as armiqësi të përhershme, por vetëm interesat janë të përhershme. Atëherë të huajit do të arsyetohen se nata e “thikave të gjata” kishte qenë vetëm një produkt moment i mendjeve të shkurta.

Nga Amir Bilalli

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button