Falimentimi i “Adria Airways” e la Shkupin pa dy fluturimet në ditë për në Lubjanë

Kompania ajrore “Adria Airways” ka njoftuar se zyrtarisht ka bërë kërkesë për falimentim, duke i dhënë fund shërbimeve pas 58 vjetësh që nga formimi. Në një njoftim të hënën, kompania ka bërë të ditur se ka nisur procedurat e falimentimit në gjykatën në Kranj dhe e njëjta ka në dispozicion tri ditë për të vendosur për hapjen e procedurave, shkruan Portalb.mk.

Procedurat e falimentimit janë iniciuar nga menaxhmenti për shkak të problemeve financiare dhe pamundësisë për të paguar punonjësit. Kompania ka njoftuar se do të anulojë të gjitha fluturimet.

Në të njëjtën kohë, qeveria sllovene i ka nisur bisedimet me kompaninë “Lufthanza” për ti marrë një pjesë të fluturimeve të  “Adria Airways”, por në këto fluturime nuk janë ata që nisen dhe arrijnë në Shkup.

Deri në momentin e falimentimit, “Adria Airways” kishte dy fluturime në ditë mes Shkupit dhe Lubjanës nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit.

Në Slloveni ka shumë banorë të Maqedonisë që punojnë dhe jetojnë ndërsa lidhja ajrore me Lubjanën ka shërbyer për transferim në shumë destinacione tjera.

Ende nuk dihet a do ti merr ndonjë kompani tjetër ajrore fluturimet për në Lubjanë nga Shkupi.

Në javën e fundit, “Adria” ka anuluar më shumë se 400 fluturime duke prekur më shumë se 15 mijë pasagjerë. Këtu përfshirë edhe fluturimet nga/në Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit. Kompania tani ka lënë pa punë 558 punëtorë. “Adria Airways” kreu operimin e fundit nga Kopenhaga drejt Lubjanës më 23 shtator.

“Adria Airways” ishte blerë nga fondi me bazë në Munih, “4K Invest” më 2016 për një shifër prej 100 mijë eurosh, përmes degës së vet “AA International Holding”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button