ANALIZË: Çmimet e duhanit, të aranzhmaneve turistike dhe të automobilave kanë nxitur inflacionin!

Inflacion i moderuar, por në rrezik nga presionit i çmimeve në tregjet e huaja – sipas matjeve të fundit në gusht krahasuar me korrikun, shpenzimet e jetesës u rritën për 0.3%, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë për 0.2%. Megjithatë, një rritje e konsiderueshme e shpenzimeve të jetës është vërejtur te aranzhmanet turistike, transporti ajror, hoteleria, që sipas ekonomistëve është e pritur për shkak se bëhet fjalë për faktor sezonal – periudhë në të cilën qytetarët udhëtojnë për shkak të pushimeve verore, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Çfarë është shtrenjtuar e çka është liruar në tregun vendas…

Foto ilustrim, tregu
Foto ilustrim, tregu

Inflacioni mesatar vjetor në vend është 1.1%, ndërsa në gusht ai ishte 0.8%, dhe është më i ulët se niveli i parashikuar. Vlerësimet e fundit të BPM-së tregojnë se ekonomia është në zonë të inflacionit të moderuar, por gjithashtu paralajmërohet edhe për rreziqe.

“Inflacioni mbetet edhe më tej në zonën e ndryshimeve të moderuara, me një rritje mesatare vjetore të çmimeve prej 1.1% në tetë muajt e parë të vitit 2019, që është pak më pak se pritjet. Pasiguria rreth lëvizjes së projektuar të çmimeve botërore të mallrave të produkteve parësore edhe më tej mbetet rreziku kryesor për dinamikën e inflacionit”- njoftuan nga Banka Popullore.

Përkundër statistikave për një rritje të lehtë të inflacionit, qytetarët thonë se e ndjejnë se çdo ditë çmimet po rriten, veçanërisht të disa artikujve ushqimorë.

“Pak nga pak, por çmimet po rriten. Për çdo ditë blej në marketet e mëdha dhe zakonisht shkoj në tregun e gjelbër. Këtu në tregje çmimet mund të rriten brenda natës, ja për shembull disa nga perimet janë ende të shtrenjta, e ato çmime ishin gjatë gjithë verës” – thotë një blerës.

Gjatë një vizite në disa nga tregjet e gjelbërta, “Portalb”-i, vuri re se çmimet nuk ndryshojnë shumë nga tregu në treg, megjithëse më të lira ende ishin në tregun e gjelbër në Bit Pazar, në tregun në lagjen Metodija-Andonov Çento, në Gjorçe Petrov, në tregun e gjelbër në qendër të qytetit. Megjithatë, në marketet e mëdha, çmimet e perimeve dhe të frutave janë pak më të larta se ato në treg.

Kështu, në njërin nga tregjet e gjelbra në Shkup, një kilogram groshë shitet nga 120 denarë deri në 160 denarë, një kilogram mollë kushton nga 40 denarë deri në 50 denarë, një kilogram tranguj edhe deri në 60 denarë, e po aq është edhe çmimi i një kilogram domateve.

Foto ilustrim, çmimet e produkteve

Statistikat treguan një rritje tepër të vogël të çmimeve të shitjes me pakicë prej 0.3% krahasuar me korrikun.“Rritja e indeksit të çmimeve të jetesës në gusht të vitit 2019, në krahasim me muajin e kaluar, është regjistruar te perimet e freskëta dhe të ngrira (përveç patateve dhe frutave të tjera rrënjore) për 6.4%, vaj dhe yndyrat për 1.6%, përpunimet e tjera të mishit për 0.9%, frutat e freskëta, sheqeri, xhemi, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat për 0.7%, mishi për 0.6%, peshku dhe frutat e detit për 0.5%, buka dhe drithërat, mishi i thatë dhe i tymosur për 0.4%, jogurti për 0.3%, qumështi, produkte të tjerë ushqimore për 0.2%” – njoftoi Enti i Statistikave.

Në gusht, inflacioni gjithashtu u nxit edhe nga faktori sezonal – për shkak të aranzhmaneve turistike dhe udhëtimeve.

“Shkalla bazë e inflacionit në gusht regjistroi një rritje minimale prej 0.1% në bazë mujore, ndërsa rritja vjetore ishte 0.5% (kundrejt 1.0% në korrik). Struktura e rritjes vjetore të inflacionit bazë në muajin gusht është e ngjashme me muajin e kaluar, gjegjësisht kontribut më të lartë pozitiv kanë çmimet e duhanit, dhe në një masë më të vogël kontribuojnë edhe çmimet e aranzhmaneve turistike, si dhe çmimet e automobilave”, – thuhet në raportin e ri të shtatorit të BPM-së.

Në tetë muajt e parë të këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, statistikat shënuan ulje vetëm te çmime e pijeve prej 1.3%.

Foto ilustrim, çmimet e produkteve
Foto ilustrim, çmimet e produkteve

Çmimet në tregjet botërore – cilat janë pritjet

Si një vend i varur nga importi, veçanërisht në segmentin e energjisë, çmimet në tregun e brendshëm mbeten të përcaktuara nga lëvizja e çmimeve në tregjet e huaja. Sipas parashikimeve, këtë vit inflacioni efektiv i huaj pritet të rritet minimalisht të rritet në 1.7%, ndërsa në vitin 2020 ai do të jetë rreth 1.8%. Në nivel global, pasiguria akoma e pranishme në lidhje me marrëdhëniet tregtare midis dy ekonomive të fuqishme – SHBA-ve dhe Kinës – është një nga faktorët nga i cili do të varen çmimet e naftës.

“Sipas vlerësimeve të fundit, çmimi i naftës për vitin 2019 dhe 2020 është rishikuar me ulje në krahasim me parashikimet e muajit prill, me ç’rast pritet që çmimet tani të kenë ulje më të madhe sesa pritej në prill. Ulja e çmimeve është kryesisht një reflektim i pasigurisë në rritje në marrëdhëniet tregtare ndërmjet SHBA-ve dhe Kinës dhe pritjeve për ngadalësim të rritjes globale, si dhe të dhënave të publikuara për rritjen e prodhimit të naftës në vendet anëtare të OPEK-ut në gusht” – thonë nga BPM-ja.

Në bursat botërore gjithashtu pritet të bien edhe çmimet e produkteve primare. Pritet të bien edhe çmimet e ushqimit – misri dhe grurit.

“Çmimet e grurit dhe të misrit për vitin 2019 dhe 2020 janë rishikuar, dhe në to ka ulje. Kështu, krahasuar me parashikimet në prill, te çmimet e grurit tani pritet një rënie pak më e madhe në vitin 2019 dhe një rënie minimale, në vend të rritjes në vitin 2020, për shkak të ofertës së madhe globale, si dhe të konkurrencës së fortë për eksport. Sa i përket çmimit të misrit, rritja pritet të jetë më e ulët sesa parashikohej në prill, kryesisht si rezultat i motit aktualisht të favorshëm të korrjes në Shtetet e Bashkuara” – thuhet në projektimet më të reja makroekonomike.

Përjashtim do të jetë rritja e çmimeve të nikelit, kryesisht për shkak të rritjes së kërkesës dhe pritjeve për ofertë të zvogëluar, veçanërisht pas njoftimit për ndalimin e plotë nga ana e Indonezisë për eksportin e xehes së nikelit nga fillimi i vitit 2020.

Megjithatë, të gjitha këto pritje janë pjesë e parashikimeve që për çdo ditë u nënshtrohen faktorëve të rrezikut që mund ta ndryshojnë kursin.

“Projeksionet e fundit të çmimeve të mallrave parësorë në bursat botërore për vitin 2019 dhe 2020 tregojnë se ka rishikim me ulje të pothuajse të gjitha çmimeve në krahasim me vlerësimet e muajit prill, me përjashtim të çmimit të nikelit, i cili është parashikuar të rritet. Megjithatë, lëvizjet dhe vlerësimet e çmimeve të mallrave parësore janë jashtëzakonisht të ndryshueshme, gjë që krijon një pasiguri më të madhe në lidhje me dinamikën dhe efektet e tyre të ardhshme në ekonominë e vendit, veçanërisht në një periudhë më të gjatë” – thonë nga Banka Popullore.

Tensionet e mëtejshme tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, si dhe pritjet për ngadalësimin e veprimtarisë globale ekonomike, do ta “rrëzojnë” edhe çmimin e bakrit këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button