SAMUEL BEKETI – NDËRTUES I SHKATËRRIMEVE

Samuel Beketi (Samuel Barclay Beckett, Foxrock afër Dublinit, 13.4.1906 – Paris, 22.12.1989) është romancier dhe dramaturg. Është ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit XX. Familja e tij i takonte shtresës së mesme. Babanë e kishte gjeometër, ndërsa të ëmën – infermiere. Pjesën më të madhe të veprave i shkroi në gjuhën frënge, për t’i përkthyer pastaj në gjuhën angleze. Studio në Dublin. Punoi si lektor dhe si profesor inordinar i gjuhës angleze në École Normale Supérieure në Paris.

Ishte shok dhe një kohë të caktuar edhe sekretar i prozatorit dhe poetit irlandez Xhejms Xhojsit (James Joyce, 1882-1941). Përktheu në frëngjisht një fragment të romanit të tij “Zgjimi i Feneganit” (1939). Vajza e Xhojsit – Lusi (Lucy) kishte simpati ndaj Beketit, por ky e refuzoi. Si rrjedhojë, autori i “Uliksit” (Ulysses, 1922) filloi të distancohet prej tij.

Më 1937 erdhi në konflikt me të ëmën. U njoftua me Suzanne Dechevaux-Dumesnil. Pas shumë vitesh, përkatësisht më 1961 u kurorëzua me të. Prej vitit 1938 jeton në Paris. Gjatë Luftës së Dytë Botërore iu bashkua lëvizjes së qëndresës në Francë.

Prej vitit 1945 shkruan në frëngjisht. Opusi i tij intrigues tërësisht i kushtohet përsiatjes së tjetërsimit njerëzor dhe vetmisë. Është autor romanësh, tregimesh dhe poezish. Famë botërore fitoi me dramat, sidomos me “Duke pritur Godonë” (En attendant Godot, 1952) dhe “Fundi i lojës” (Fin de partie, 1957).

Bashkë me Joneskon (Eugène Ionesco, 1912-1994) dhe Zhan Zhenen (Jean Genet, 1910-1986), është një nga autorët më të spikatur të teatrit të absurdit.
Antiteatri i Beketit, i përshkuar nga gjurmët e surrealizmit, të Xhojsit, të Kafkës (Franz Kafka, 1883-1924) dhe të Kamysë (Albert Camus, 1913-1960), ndikoi fuqishëm në zhvillimin e teatrit bashkëkohor.

I pranoi idetë ekzistencialiste të Sartrit (Jean-Paul Sartre, 1905-1980) dhe të filozofit gjerman të ekzistencializmit, Hajdeger (Martin Heidegger, 1889-1976) dhe zbatoi konceptin e teatrit të absurdit, ideja e të cilit buron nga Kamy.
Beketi u ndikua edhe nga filozofia e filozofit gjerman, Kant (Immanuel Kant, 1724-1804), e filozofit gjerman Shopenhauer (Arthur Schopenhauer, 1788-1860) dhe e dramaturgut e kritikut gjerman Lesing (Gotthold Ephraim Lessing, 1729-1781).

Dramat e tij janë statike, ciklike, parodizojnë dramatiken dhe tragjiken, nxjerrin në pah dëshpërimin e njeriut në kërkim të fatit. Protagonistët janë individë pa strehë, klounë, pleq të sëmurë apo invalidë, të privuar nga konteksti apo nga çfarëdo rrethimi qytetërues, paraqiten nga dy dhe zhvillojnë biseda të gjata, të palidhura deri në shkatërrimin e leksikut, si në pjesën “O ditë të bukura” (Oh les beaux jours, 1963), pas së cilës mbetet vetëm zëri i dehumanizuar.

Në pjesën “Shiriti i fundit” (La Dernière bande, 1958) e kemi personazhin tipik beketian të privuar nga vetitë dhe veçantitë psikologjike, të humbur në hapësirë dhe në kohë, të reduktuar në ekzistencë lakuriqe dhe në zë që flet për vete.

Ky automatizëm i të folurit është i pandalshëm, ndonëse fjalët nuk kanë as mesazhe dhe as përmbajtje. Shqiptohet heshtja dhe asgjëja, por edhe të pamposhturit e instinktit krijues.

Beketit i intereson qenia e vetë gjuhës; zëri vjen nga largësia, nuk i përket autorit, por vetëm kalon nëpër të, vjen nga mbarë njerëzimi. Duke zëvendësuar gjuhën amtare me frëngjishten, Beketi e forcon përshtypjen e tjetërsimit. E zhveshur dhe bizare, shprehja e tij përmbledh vrazhdësinë e ekzistencës, tekstet i bën abstrakte pothuajse në mënyrë asketike.
Sëmundjet e ndryshme dhe mjerimi nëpër të cilat shkrimtari e kaloi një pesë të jetës së vet u reflektuan në botën letrare të tij, të përcjellë me rezignim dhe absurd.

Prore janë të pranishme temat: kalimi i kohës, pritja, banaliteti i përditshmërisë, pamundësia e komunikimit, vetmia, tatëpjeta, vdekja dhe shumë rrallë kujtimet, shpresa dhe lakmia.

Heroi i romanit të parë, të shkruar në anglisht “Murphi” (1938), i veçuar dhe i mbyllur në vetvete, e pret vdekjen dhe shndërrohet në larvë. Edhe romanet Malloy (1951), “Malone po vdes” (Malone meurt, 1952), “Pa emër” (L’ Innommable, 1953) karakterizohen nga rrënimi i personazheve dhe i mekanizmave narrativë.

Shkatërrimin fizik e përcjell edhe vdekja e sintaksës. Zhduken karakteristika e stilit, mbizotërojnë monologu i brendshëm i palidhur dhe asociacionet e zbrazëta.
Si në prozën e Beketit, ashtu edhe në dramat e tij flitet për pamundësinë e njohjes, për mungesën e ndjenjave dhe për varfërinë e brendisë së njeriut. Toni i tyre është sarkastik dhe vetëshkatërrues.

Megjithëkëtë, në mënyrë paradoksale ato krijojnë ndjenjën e një shprese të re, dramën e shndërrojnë në farsë dhe nxjerrin në pah lojën gjuhësore si gjest dëshpërues, deri në ngopjen dhe shterjen e plotë të mundësive letrare. Forca shkatërruese e tyre nuk buron nga kundërshtimet bindëse të tezave filozofike dhe sociologjike, por nga tablotë e zhveshura të vuajtjes njerëzore, prej të cilëve është hequr maska e ndjenjave dhe e bindjeve.

Në poemën “Shkurtabiqi” shkroi: “Në Universitetin e Dublinit ndodhet kremi i Irlandës: të pasurit dhe dembelët”.
Më 1931 botoi studimin kritik për shkrimtarin francez Prust (Marcel Proust, 1871-1922). Udhëtoi nëpër Evropë. Një kohë të caktuar qëndroi në Gjermani. U shtrua për mjekim psikiatrik në Tavistock Clinic. Ndoqi ligjëratat e psikiatrit zviceran – Jungut (Carl Gustav Jung, 1875-1961), i cili ishte i ndikuar nga mjeku dhe psikologu austriak me prejardhje çifute, themelues i psikanalizës, Frojd (Sigmund Freud, 1856-1939, baba i 6 fëmijëve) dhe nga filozofi gjerman Shopenhauer (Arthur Schopenhauer, 1788-1860). Shumë nga dramat e veta, Beketi i shkroi i inspiruar nga ligjëratat e Jungut.

Drama e tij Fryma zgjat 35 sekonda dhe s’ka personazhe. Shkroi poezi vetëm me gjashtë fjalë. I shmangej çdo ekspozimi. Beketi është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Në të gjitha veprat e veta e jep vizionin skajshmërisht pesimist mbi botën. Është i preokupuar me çështjen e ekzistencës njerëzore dhe të tjetërsimit të njeriut në jetën moderne. Veprat i shkruante në frëngjisht dhe i përkthente në anglisht. U kërkonte përgjigje pyetjeve: “Kush jemi ne dhe cili është kuptimi i të qenit”? Konsiderohet si një nga modernistët më të rëndësishëm. Ushtroi ndikim mbi shumë shkrimtarë.

Antidramën “Duke pritur Godonë” e shkroi në gjuhën frënge. Drama u botua në vitin 1952, ndërsa premiera u shfaq më 1953. Që atëherë, është shfaqur pandërprerë nëpër skenat teatrore të mbarë botës.
Dramat e tij u shfaqën më së shumti në vitet 1950-1970. Në vitin 1969 iu dha çmimi Nobel. Në ceremoninë e ndarjes së çmimit, në të cilën duhej të mbante fjalim, Beketi nuk mori pjesë. Vitet e fundit i kaloi në vetmi. Ai dhe gruaja e tij Suzan, vdiqën në të njëjtin vit – më 1989. Ajo vdiq ca muaj para tij. Babi i antidramës u varros pranë saj. Në pllakën e përbashkët të të dy varreve është skalitur një mendim i themeluesit të antiteatrit: “Cilado ngjyrë, derisa është e murrme”.

Shkruan: Xhelal Zejneli

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button