Më në fund, asfaltohet rruga në Kalisht të Strugës

Sot, në prezencën e banorëve vendorë dhe përfaqësuesve komunal në fshatin Kalisht filluan punimet për sistemimin e rrugës së fushës, një investim që do të realizohet me fonde nga buxheti i Komunës së Strugës. Përveç asfaltimit të kësaj rruge, nga Bashkësia lokale e këtij fshati paralajmërojnë se Komuna do të investojë edhe në rregullimin e një fushe sporti në afërsi të Shkollës fillore të Kalishtit.

Enis Elmazi, kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Kalisht këto investime i quan mjaft të dobishme për Kalishtin si dhe për fshatrat e tjera që nëpërmjet kësaj rruge do shkurtojnë qarkullimin ndërmjet veti për kilometra të tëra.

”Shtrimin e kësaj rruge me asfalt banorët e Kalishtit e kanë kërkuar që në kohën e Titos, por këtë kerkesë të kamotshme e plotësoi kryetari i komunës për çka edhe e falenderojmë. Kjo rrugë është e një rëndësie të veçantë për ne sepse lehtëson qarkullimin e mjeteve dhe njerëzve ndërmjet fshatit tonë me gjithë fshatrat e tjera që gravitojnë në këtë pjesë të Strugës”, përfundon Enis Elmazi./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button