Vazhdon emigrimi i të rinjve të arsimuar

Jo rrallë, lexojmë të dhëna nga më të ndryshmet për pasojat e emigracionit nga vendet e rajonit, strukturën  profesionale, moshën e kështu me radhë të atyre që emigrojnë drejtë ndonjë vendi të BE ose gjetiu. Raportet e tilla për gjendjen ekzistuese, janë shqetësuese pasi ato sjellin pasoja afatgjata për vendet e origjinës sidomos në mungesën e një strategjie të menduar mirë  në, së paku, zbutjen e pasojave të kësaj dukurie e cila vazhdon gjithnjë.  Të dhënat nga Raporti i Monitorimit Global të Arsimit nga UNESCO, për vitin 2019, sipas të cilave shkalla e emigrimit të personave të arsimuar në rreth një të tretën e 174 vendeve, është mbi 20%, kurse  në mesin e  vendeve me përqindjen më të lartë të prekur nga ky fenomen, është Shqipëria. Nëse kësaj i shtojmë edhe të dhënat e publikuara nga Eurostat, në bazë të dhënies së lejeve të qëndrimit,  mesatarisht në vit largohen 15 mijë të mitur nga Shqipëria drejtë vendeve të BE,  pasojat afatgjate nga ky fenomen janë alarmante. Edhe pse dukuria e emigrimit është debatuar shpesh nga qarqe vendimmarrëse, sidomos në dekadën e fundit, prapëseprapë, kjo nuk ka reflektuar ndonjë rezultat shpresëdhënës, së paku jo,  në ndonjë të ardhme të afërt. Nëse kihet parasysh se shkaku i emigrimit, sidomos i popullatës së re dhe të arsimuar, është në kërkim të një jete më të mirë, gjasat për kthimin e tyre në vendin e origjinës nuk janë  tepër të mëdha. Shkaqet  e kësaj dukurie, janë të shumta por shpresat e pjesës dërmuese të qytetarëve për rrugëtimin më të shpejtë në procesin e  tranzicionit kanë qenë më të mëdha. Të përballur me realitetin shoqëror në përgjithësi  dhe, sidomos, me rritjen e ngadaltë të standardit jetësor, në mungesën e hapjes së mjaftueshme të vendeve të reja të punës  dhe fenomene tjera të pakënaqshme në shoqëri, kanë përshpejtuar ritmin e emigrimit nga, pothuajse, të gjitha vendet  e rajonit. Të përballura edhe me fenomenin e rënies së natalitetit, vendet përkatëse, respektivisht, politikë- bërësit   do të duhej të ndërmarrin masat adekuate që  pasojat e mundshme të jenë sa më të vogla. Aq më parë pasi, bazuar në projeksionet e institucioneve relevante, shifrat e paraqitura jo vetëm se pasojnë zbrazjen e vendit, por edhe plakjen e popullsisë. Duke marr parasysh ndryshimet demografike, OKB, parashikon se mosha mesatare e popullsisë në fund të këtij shekulli, në Shqipëri, do të jetë diçka më tepër se 53 vjeç, me rreth 1,7 milion banorë. Ndër faktorët kryesor në nxitjen e plakjes së popullsisë është emigracioni  kaq i theksuar në vazhdimësi. Prandaj, hartimi i një strategjie të drejtë  e  lirive dhe të drejtave ekonomike, me plane dhe programe reale si objektiva  bazë për zhvillimin dhe jetësimin e  ideve në plotësimin e nevojave të çdo pjesëtari të shoqërisë, do të rikthej shpresat për një jetë më të bukur në këto hapësira. Është momenti i fundit të ndërmerren masat e nevojshme duke lënë anash interesat dhe projeksionet partiake në marrjen apo ruajtjen e pushtetit, por të sigurohet e ardhmja e duhur në të mirë të vendit, që raportet e ardhshme nga institucione dhe organizata relevante ndërkombëtare, të jenë më shpresëdhënëse për vendet e mbarë rajonit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button