RMV vendosi marrëdhënie diplomatike me Tunizinë dhe Armeninë

Në margjinën e debatit të 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov dhe Ministri i Jashtëm Tunizian, Kemais Zinai nënshkruan një Protokoll për krijimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Dimitrov nënshkroi gjithashtu një protokoll për krijimin e marrëdhënieve diplomatike edhe me homologun e tij armen, Zohrab Mnacakanjan.

“ Marrëdhëniet diplomatike me Republikën e Tunizisë do të çojnë në krijimin e dialogut politik dhe krijimin e mundësive për intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore, si dhe bashkëpunim shumëpalësh”, thuhet në njoftimin e  Ministrisë së Jashtme, shkruan A1on, përcjell Portalb.mk.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Armeninë do të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit të përgjithshëm midis dy vendeve. Formalizimi siguron këndvështrime të reja për zhvillimin e dialogut politik, intensifikimin e bashkëpunimit kulturor dhe ekonomik, si dhe komunikimin më të shpeshtë multilateral, thuhet në deklaratë.

Bazat për bashkëpunim më intensiv u krijuan gjithashtu me Gjeorgjinë. Ministri Dimitrov dhe homologu i tij gjeorgjian, David Zalkaliani, nënshkruan një Protokoll të Bashkëpunimit midis dy ministrive dhe diskutuan për promovimin e marrëdhënieve përmes konsultimeve politike, liberalizimit të vizave, vizitave të biznesit dhe bashkëpunimit shumëpalësh.

Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të KB, Dimitrov pati një takim dypalësh me homologun e tij Letonez, Edgars Rinkeviç.

Sipas Ministrisë së Jashtme, Dimitrov theksoi se qytetarët maqedonas, të cilët japin mbështetje të gjerë për idenë evropiane, kishin pritshmëri të mëdha nga takimi në tetor i Këshillit Evropian. Një vendim pozitiv do të jetë një mesazh i qartë për ta, rajonin dhe besimin në politikën e BE-së ndaj Ballkanit.

Ministri Rinkeviç shprehu mbështetjen e tij të pakushtëzuar për angazhimet tona për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO. Duke marrë parasysh momentin aktual, ministri Letonez sugjeroi që BE-ja duhet të jepte një sinjal pozitiv, i cili do të ishte i mirë për BE-në, për stabilitetin e rajonit dhe për besueshmërinë e politikës së zgjerimit.

Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për dinamikën në lidhje me pranimin e RMV-së në Aleancë në dritën e Samitit të NATO-s në Londër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button