“Mbështetësja” për Banjën e Tetovës, dy persona do ta mbajnë murin të mos bjerë

Meqë muri mbajtës në Banjën e Tetovës tashmë për shumë vite qëndron gati për t’u rrënuar, aktivistë kanë vendosur që me ilustrimin e dy personave, siç thonë ata, të mbajnë murin që të “shmangin ndonjë katastrofë të madhe”, transmeton Portalb.mk.

Aktivistët thonë se rruga e cila çon deri në Banjën e Tetovës në më tepër vende është e rrezikshme. Erozionet zgjatin përgjatë gjithë rrugës, kurse të dëmtuara janë edhe mbrojtëset anësore. Ata thonë se qytetarët të cilët e shfrytëzojnë këtë pjesë për rekreacion, thonë se rrënojat kanë filluar që nga momenti kur autoritetet kanë filluar rekonstruktimin e rrugës.

“Rruga ka filluar të rikonstruktohet para 4 vitesh. Në atë kohë ekspertët paralajmëruan se rekonstruktimi realizohej në formë joprofesionale, sepse rruga zgjerohej përgjatë shpatave të pjerrëta të Malit Sharr të cilat rrënoheshin, dhe prerja e drunjëve kontribuonte për krijimin e një tereni jo stabil”, thuhet në kumtesën e aktivistëve.

Ata pyesin se çfarë duhet të ndodhë për t’u sanuar këto dëmtime? A duhet dikush të pësoj dëme që të merren masa urgjente për problemin?

“Deri në atë kohë neve nuk na ngelën asgjë tjetër, ne si qytetarë e morëm rolin e mbështetëses dhe duke e mbajtur murrin do të mundohemi të shmangim ndonjë katastrofë më të madhe”, thonë aktivistët.

Para disa javësh aktivistët e njëjtë vendosën tabela nëpër qytetin e Tetovës me mesazhe për problemet me të cilat ky qytet ka kohë që po përballet. “Mirë se vini në Tetovë, qytetin ku askujt nuk i intereson për asgjë”, është mesazhi kryesor i cili u përcoll sot përmes tabelave të vendosura në të gjithë qytetin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button