Falënderimi ndaj Nimicit, ndryshimet klimatike, kriza emigrante dhe dezinformatat, në fokusin e fjalimit të Zaevit në Nju Jork

Duke folur në gjuhën maqedonase, kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Zoran Zaev në Asamblenë e Përgjithshme që u mbajt në selinë e Kombeve të Bashkuar (KB) në Nju Jork, ka shprehur falënderime për angazhimin dhe përkushtimin e ndërmjetësit Metju Nimic në procesin e arritjes së Marrëveshjes së Prespës, me të cilin u zgjidh kontesti me Greqinë, transmeton Portalb.mk.

Zaevi, gjatë fjalimit të tij ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së RMV-së për të luftuar ndryshimet klimatike, krizën e emigrantëve dhe dezinformatat.

“Dua këtu të tërheq se, jemi falënderues ndaj KB-së për tërë përkrahjen, që më së shumti është vërejtur nëpërmjet përkushtimit 20-vjeçar dhe punës së palodhshme të Metju Nimicit, deputetit special të Sekretarit Gjeneral të KB-së, i cili punoi me ne për gjetjen e zgjidhjes. Besojmë, se Marrëveshja e Prespës është shembull i vërtetë për fuqinë diplomatike dhe dialogun, dhe se është shembull që duhet shfrytëzuar për shumë çështje të tjera të hapura”, tha Zaevi para liderëve botërorë.

Asambleja e Përgjithshme e KB-së
Asambleja e Përgjithshme e KB-së

Duke tërhequr vëmendjen drejt temës kryesore të Asamblesë – ndryshimet klimatike, Zaevi theksoi se është e patjetërsueshme realizimi i Marrëveshjes së Parisit, dhe të njohim dhe pranojmë ndikimin e ndryshimeve klimatike si kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin botëror.

“Kontributet nacionale të definuara janë kyçe që të përshpejtohen aktivitetet në raport të ndryshimeve klimatike. Maqedonia e Veriut i ka rritur kontributet nacionale sipas Marrëveshjes së Parisit, dhe të njëjtat janë inkorporuar si qëllime në Ligjet dhe politikat tona nacionale”, tha Zaevi.

Asambleja e Përgjithshme e KB-së, kryeministri Zoran Zaev
Asambleja e Përgjithshme e KB-së, kryeministri Zoran Zaev

Megjithatë, nuk u lë pa u përmendur dhe pa u bë thirrje edhe në këtë Asamble, për bashkim të shteteve në luftën për paqe, demokraci, të drejtat e njeriut, sundimin e së drejtës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

“Tash me vite jemi në front dhe kemi përvojë nga dora e parë në raport të ndikimit në emigrantë. Kriza me emigrantët gjithashtu paralajmëron se, nuk mund të punojmë të vetëm, në izolim. Vazhdimi i krizës së emigrantëve tregon se, nuk mund ta shtypim butonin për pauzë. Duhet t’i bashkojmë përpjekjet e tona dhe me vizion strategjik, mekanizma të bashkëpunimit dhe iniciativa t’i zgjidhim shkaktarët e krizës së emigrantëve, t’i veçojmë aspektet pozitive nga rrjedha emigrante dhe krizën ta shndërrojmë në mundësi. Si në periudhën paraprake, ne në mënyrë aktive do të bashkëpunojmë në këtë proces”, tha Zaevi, transmeton Portalb.mk.

Dhe në vazhdën e fjalimit të tij, vend zunë edhe lajmet e rreme dhe sundimi i së drejtës.

Zaevi theksoi se një moment i rëndësishëm është edhe informatat e rreme dhe dezinformatave në botë, duke i futur edhe ata në grupin e fushatave që zhvillohen dhe që e rrezikojnë botën.

Avancimi i të drejtave të njeriut, demokracia dhe sundimi i së drejtës, Zaevi ka përfunduar në fjalimin e tij, janë shtyllat e vlerave dhe veprimit të Kombeve të Bashkuara, dhe mungesa e llogaridhënies, na kujtojnë se kemi edhe shumë punë për të bërë në këtë drejtim.

Delegacioni i RMV-së në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së
Delegacioni i RMV-së në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së

Zaevi gjatë Asamblesë së 74-të, ka marrë pjesë në sesione të ndryshme plenare. Ai ka qenë i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe të cilët kanë marrë pjesë në sesione plenare që u takojnë temave të ekologjisë, politikës së jashtme dhe shëndetësisë.

Në margjina të Asamblesë, Zaevi, Osmani dhe Dimitrovi kanë realizuar takime me krerë shtetërorë, me çka kanë marrë mbështetje për procesin e integrimit të RMV-së në Bashkimin Evropian dhe NATO-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button