Kurti: Le të bëhemi bashkë për ta ndryshuar vendin për fëmijët tanë

Përmes një komunikate për media Vetëvendosje thotë se, “në Istogun e tokave pjellore por pa mbështetje shtetërore, me ujësjellës por pa ujë, me bashkjetesë fetare por me jetë të varfëruar kulturore, dhe më së shumti e më së keqi me rini të talentuar por pa punë, fermerë, punëtorë, të papunë e të rinj po përbashkohen përreth tubimeve të qeverisë së ardhshme, Kurti. Tashmë e dimë se cilën qeveri, shtet e Kosovë duam dhe duhet pas 6 tetorit”.

Kandidati për deputet dhe njëherazi kryetari i Qendrës së Istogut, Agron Avdijaj, tregoi se, aty ku qeveria është e madhe në numër, numri i qytetarëve të punësuar është shumë i vogël.

“Sa më shumë këshilltarë kishim, aq më shumë kishim skandale korruptive. Zëvendës ministrat e shumtë për funksion kishin uljen e besimit tonë në institucionet tona. Kosovën dhe Istogun e kanë degraduar në vendin më të varfër në Evropë, të izoluar e kriminalizuar, pa prodhim e me migrim masiv”, tha ai.

Duke parë prezencë kaq të madhe të qytetarëve, kandidatja Fatmire Mullhaxha Kollçaku tha se nuk ka më bastione, ndërsa u zotua se pas 6 tetorit vendi do të ketë një sistem të fortë e të garantuar publik e shëndetësor falas. Sidomos klinika onkologjike do të jetë e mbështetur dhe e financuar siç duhet dhe siç ia kanë nevojën dhe e meritojnë të gjithë qytetarët.

Përkundër degradimit të institucioneve në vend, kandidati për deputet Shpejtim Bulliqi kujtoi se përgjatë gjithë këtij degradimi Lëvizja Vetëvendosje ka qenë aty për të na dëshmuar se gjërat do të duhej të kishin qenë ndryshe. Për Bulliqin qeveria Kurti do të jetë një pasqyrë e re ku qytetarët do ta shohin veten siç janë dhe siç duhet e duan të jenë.

Kandidatja tjetër për deputete Mimoza Kusari Lila e vazhdoi tubimin duke kujtuar se në historinë tonë si popull ka pasur gjithmonë një dritë e një lëvizje që ka punuar për t’ia kthyer shpresën Kosovës dhe sot kjo lëvizje e kjo dritë ka një listë fitimtare me 110 burra dhe gra të përgatitur me armën më të fortë, dije, integritet dhe profesionalizëm.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, mes urgjencës për një qeveri të re me vizion të ri, që ndihej në sallë e kudo tjetër, tregoi sesi ndryshimi është i domosdoshëm sepse atë po e kërkojnë studentët me diplomë e të papunë, fermerët që punojnë e nuk fitojnë, mërgata që ndihmon Kosovën që nuk ndryshon, dhe punëtorët që punojnë shumë e paguhen pak. Mirëpo, ndryshimi, tha ai, nuk mund të vijë duke votuar të njëjtit njerëz e të njëjtat parti.

Për drejtësi gjyqësore ndaj të korruptuarve e drejtësi sociale për qytetarët, kandidati për kryeministër, Albin Kurti tha se tash ka shpresë e do të kthehet dinjiteti i punëtorit, bujkut e studentit.

“Le të bëhemi bashkë të gjithë për ta ndryshuar vendin për fëmijët tanë e për fëmijët që duhet të lindin e do të lindin për të na trashëguar ne sepse me Vetëvendosje tash ka shpresë. Me Vetëvendosje do ta kthejmë dinjitetin te punëtori, bujku e studenti. Me Vetëvendosjen do ta zhvillojmë ekonominë, do ta avancojmë bujqësinë, do ta përmirësojmë arsimin dhe do ta rregullojmë shëndetësinë”, ka deklaruar Kurti. “Me rrugë që lidhin fshatin me qytetin e jo me autostrada që i varfërojnë edhe fshatin edhe qytetin, me ujësjellës që i bashkon fshatarët, me punëtorë që bashkohen me ligj të ri për mbrojtjen e të tyre, fushata jonë fitimtare është vegimi paraprak i të gjithë Kosovës pas 6 tetorit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button