Është shpallur thirrja për subvencionim të peletave, gjysma e mjeteve do të shkojnë për familjet me të ardhura të ulta

Ministria e ekonomisë ka shpallur sot thirrjen publike për kompensimin e një pjese të shpenzimeve për blerjen e stufave me pelet, të cilat do të zëvendësojnë stufat me thëngjill, dru, vaj ose naftë të papërpunuar nëpër amvisëri. Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi njoftoi se gjysma e mjeteve do të ndahen për kategoritë e ndjeshme të qytetarëve, transmeton Portalb.mk.

Shfrytëzimi i burimeve të rinovueshme të energjisë për ngrohjen e shtëpive, njëkohësisht ndikon edhe në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit dhe tokës dhe nuk ndikojnë në ndryshimin e klimës. Nga Ministria e Ekonomisë njoftojnë se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut , me propozim të Ministrisë së ekonomisë, ka miratuar Programin për promovimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe promovimin e efikasitetit energjetik në amvisëri për vitin 2019.

Sipas tyre, me këtë Program, parashikohet që banorët të cilët do të blejnë stufa me pelet për të zëvendësuar ato të vjetrat me qymyr, dru, naftë ose mazut, tu mundësohet kompensim deri në 50% të kostos së blerjes së stufave me pelet, por jo më shumë se 25.000 denarë për familje për vitin 2019. Buxheti i Ministrisë së ekonomisë për vitin 2019 parashikon gjithsej 30.000,000 denarë për këtë masë.

Të drejtë të marrin pjesë në këtë kategori, siç u shpreh ministri Bekteshi do të kenë të gjithë ata që do të blejnë stufa me pelet pas shpalljes së thirrjes publike.

Në përputhje me Programin, të drejtë pjesëmarrjeje, përveç konsumatorëve të cenueshëm kanë edhe të gjithë personat që kanë blerë stufa me pelet në periudhën nga 1 janari 2019 deri në fund të shpalljes publike, dhe për këtë kategori aplikantësh gjithashtu janë siguruar 15.000.000,00 denarë nga buxheti.

Kompensimi do të bëhet sipas parimit “të parët që aplikojnë,ata shërbehen” dhe pasi të jenë shpenzuar fondet për këtë qëllim, do të përgatiten masat e pagesës së kompensimit, njoftoi Bekteshi.

Ata njoftojnë se kjo masë u prezantua për herë të parë në vitin 2018. Në të njëjtin vit, u shpallën dy njoftime publike për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve për blerjen e stufave me pelet. Ndarja e mjeteve nga buxheti për këtë qëllim në vitin 2018 për të dy njoftimet kapnin vlerën prej 21.000.000 denarë, ndërsa janë paraqitur gjithsej 2,158 aplikime, duke subvencionuar 642 familje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button