Sinjale të mira nga takimi i parë i kryeministrit të Maqedonisë se Veriut me homologun e ri grek

Kryeministri i Greqisë, Krijakos Micotakis, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Njujork, për herë të parë e ka takuar homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Zoran Zaev me të cilin kanë biseduar për relacionet Maqedoni e Veriut-Greqi.

Kryefjala e takimit ka qenë Marrëveshja e Prespës, e cila u nënshkrua më 17 qershor të vitit 2018-të.

Siç duket, pasi mori postin e ri, kundërshtari grek për Marrëveshjen e Prespës, Micotakis, e ka ndërruar retorikën ndaj Shkupit. Këtë e ka konfirmuar edhe në takimin me Zaevin që sipas mediave greke kryeministri greke ka thënë se “ai personalisht nuk do ta nënshkruante, por ka shtuar se ratifikimi është pjesë e të drejtës ndërkombëtare dhe se Greqia duhet ta respektojë.”

Nga ana tjetër, Zaev ka potencuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut është maksimalisht e fokusuar në qasjen konstruktive të ndërtimit të partneritetit ndërmjet dy vendeve, bazuar në miqësi dhe interes të përbashkët për prosperitetin e rajonit dhe qytetarëve të të dyja vendeve.

Sa për informatë, Micotakis gjatë kohës që ishte në opozitë ishte kundërshtar i fuqishëm i Marrëveshjes së Prespës. Partia me të cilën udhëheqë ai, Demokracia e Re ka pasur qëndrim se emri duhet të jetë i përbërë me përcaktim gjeografik për përdorim të përgjithshëm.

“Kemi thënë se nuk mundemi, në asnjë rast të pranojmë marrëveshje që shtetit fqinj i jep gjuhën maqedonase dhe kombësinë maqedonase. Frikohem se ka qenë absolutisht e arsyeshme kritika jonë dhe mbetemi të përkushtuar në pozicionin tonë. Do të votojmë kundër Marrëveshjes së Prespës, kurdo që të vjen në Parlament dhe do të luftojmë që kjo marrëveshje të mos ratifikohet”, ka thënë Micotakis më 11 dhjetor të vitit 2018-të, në derisa ishte në opozitë.

Ndryshimi i emrit kushtetues të Maqedonisë erdhi pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës dhe ratifikimit të tij në kuvendet e të dy shteteve. Pas 27 viteve të kontestit me Greqinë, Maqedonia e ndryshoi emrin nga “Republika e Maqedonisë” në “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Me këtë u hap rruga për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button