Per astra ad aspera

Pamja e prokurores speciale Katica Janeva si dergohet e prangosur me përcjellje policore të japë deklaratë para prokurorit që ndjek lëndën “Shantazhi” do të mbesë gjatë në kujtesën kolektive të të gjithë atyre që besuan se ajo mund të kontribuonte në sjelljen e drejtësisë në këtë vend.

Për më tepër, në lajmet ndërkombëtare, kjo pamje korrespondon me momentin kur homologia e saj, Laura Kovesi, u zgjodh ta përfaqësojë postin e prokurores së përgjithshme të Unionit Evropian. Kovesi është shembull tipik se si funksionon shprehja latine “Per aspera, ad astra” apo “Përmes gjembave deri tek yjet”. Gjatë pesë viteve kur ajo drejtoi prokurorinë speciale të Rumunisë, ky institucion vetëm në vitin 2014 arriti të nxjerrë para drejtësisë dhjetëra kryetarë komunash, 5 deputetë, dy ministra të mëparshëm si dhe kryeministrin e mëparshëm të Rumunisë. Me qindra prokurorë dhe gjykatës janë gjykuar sipas akuzave të Kovesit ku në mbi 90% personat e akuzuar janë gjetur të fajshëm nga gjykatat. Vetëm në vitin 2015 në Rumuni kanë shkuar nën hetime 12 deputetë dhe dy ministra aktualë të asaj kohe, prej të cilëve njëri është dërguar direkt nga parlamenti në paraburgim.

Prokuroria jonë speciale gjatë kohës kur Janeva ishte në krye të detyrës arriti të dërgojë në burg dy persona: ndihmës-ministrin e punëve të brendshme Gjoko Popovski, dhe biznesmeni Sead Koçan. Ish kryeministri Gruevski u arratis në Hungari, ndërsa të akuzuarit e tjerë akoma i evitojnë dënimet. Rasti kryesor që u ngrit nga kjo prokurori, ai që sot quhet “Target-Fortesa”, vazhdon të zvarritet nëpër korridoret gjyqësore.
Për këtë arsye edhe rrugët e Kovesit dhe Janevës janë të ndara: e para u bë prokurore e UE, e dyta përfundoi në paraburgim dhe e shkarkuar jo vetëm nga funksioni i prokurores speciale por edhe nga funksioni i të qenit prokurore në përgjithësi. Edhe për Janevën ka vlerë e njëjta thënie latine, por me kuptim të kundërt “Per astra ad aspera” apo: Përmes yjeve deri tek gjembat që e rrethojnë burgun hetues të Shutkës. Aty ku duheshte të shkojë i arratisuri Gruevski që ta arsyetojë brohoritjen e dikurshme në protesta “Shutka nuk të ikë, Nikolla”, pikërisht aty përfundoi prokurorja speciale që e ndiqte Nikollën. Ironi e pafund!

E megjithatë, Rumunia nuk është një vend për t’u marrë shembull i përgjithshëm për sundimin e së drejtës. Dëshmi për këtë është pikërisht fakti që Kovesi nuk arriti të vazhdojë betejën e saj atje për të nxjerrë të gjithë të korruptuarit para drejtësisë. Ajo u suspendua nga puna e saj me vendim të Gjykatës së atjeshme Kushtetuese. Ajo u akuzua se ka qenë tepër autoritative në punën e saj. Pra, paska qenë tepër këmbëngulëse për të zbuluar kriminalitetin. Ajo u suspendua nga funksioni i saj, por kjo ishte një shenjë e keqe pikërisht për sundimin e së drejtës në Rumuni e jo për punën e Kovesit. Sepse për shkak të punës së saj ajo u shpall prokurore e UE, ndërsa gjatë zgjedhjes së saj, pikërisht Rumunia ka votuar kundër!

Sa mirë do të ishte që edhe Janeva të ishte akuzuar se ka qenë tepër këmbëngulëse për ta sjellë drejtësinë, tepër autoritative, tepër e përkushtuar. Shumë më mirë se sa të akuzohej se ka pranuar dhurata nga dokush si Boki 13, edhe atë mobilje me vlerë prej 5000 eurosh, ku janë gjetur edhe mjete përgjimi. Sa mirë do të ishte ta kishin akuzuar për atë se është tepër e preokupuar dhe e obsesionuar me punën që duhet ta bëjë. Për fat të keq nuk e kishim këtë mundësi. Të gjithë ata që e brohorisnin emrin e saj me muaj nëpër rrugë ishin të gatshëm të shkojnë në zjarr për të. E megjithatë ajo përfundoi në paraburgim, nën akuza të rënda se me persona si Boki 13 e Zoki Kiçeec ka keqpërdorur pozitën e saj zyrtare.

Sigurisht, procesi penal ndaj Janevës sapo ka filluar. Shqyrtimi kryesor që do të pasojë pas ngritjes së aktakuzës është vendi ku do të kuptohet e vërteta. Dhe kjo fazë e procedurës është publike. Të gjithë ne do të mund të mësojmë për atë se si do të mbrohet dhe çfarë përgjigjesh do të japë ndaj akuzave që i ngarkohen ish-prokurores speciale. Aktgjykimi përfundimtar do ta vërtetojë fajësinë ose eventualisht pafajësinë e saj. Deri atëherë, ligji thotë që duhet ta konsiderojmë si të pafajshme.

E megjithatë, pamja ku ajo sillet e prangosur në prokurori do të mbetet e paharrueshme…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button