Mediat nuk duhet të përhapin ende më shumë gjuhën diskriminuese dhe shovinizmin

Burimi: KriThink

Natyra multietnike e Maqedonisë së Veriut, ka krijuar një ambient ideal që individë të caktuar të shprehin gjuhë diskriminuese me tone të shovinizmit. Gjatë raportimit për dukuritë e tilla negative, mediat nuk duhet ta harrojnë rolin e tyre se krahas informimit duhet edhe të edukojnë. Teksti që e recensojmë nuk ka filtra adekuat gjatë transmetimit të shovinizmit dhe diskriminimit.

Lajmpress: Gazetari maqedonas: Fatimja do të kthehet në Bogovinë, nuk do të mund të pin më (alkohol)

Linku deri te artikulli origjinal: “Gazetari maqedonas: Fatimja do të kthehet në Bogovinë, nuk do të mund të pin më (alkohol)”

Data e publikimit: 16.09.2019

Data e recensionit: 25.09.2019

Recensues: Fatbardha Curri

Me titullin me gjuhë shoviniste, media i ka ndihmuar shovinistit

“Gazetari maqedonas: Fatimja do të kthehet në Bogovinë, nuk do të mund të pin më (alkohol)”, thuhet në titullin e lajmit të recensuar.

Së pari, përfshirja e vet deklaratës diskriminuese në baza gjinore dhe kombëtare, bën që edhe artikulli në fjalë të jetë i tillë. Si individët publik, por edhe mediat në rast të lajmeve me gjuhë të ndjeshme, e veçanërisht të atyre që përmbajnë informata me karakter akuzues, ka për obligim që të bëjë përfshirje minimale të tyre në artikull.
Shkrimi në këtë mënyrë, të le përshtypjen se deklarata me gjuhë të ndjeshme është përfshirë në shkrim me qëllim për të bërë propagandë negative kundër prokurores Fetai.

Së dyti, edhe pse në titull ka cituar “gazetarin maqedonas”, artikulli fillon me reagimin e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM). Krahas transmetimit të reagimit, ku vlerësohet se, “Gazetarët kanë shumë më shumë përgjegjësi para publikut gjithmonë kur i drejtohen atyre, pamvarsisht se si u drejtohen para rrjeteve sociale apo mediave”, gazetari që e shkruan artikullin që e recensojmë, sërish ka vendosur ta transmetojë gjuhën që e kritikon edhe SHGM-ja.

Së treti, përdorimi i “maqedonases” në titull, është bërë me qëllim që media të tërheq vëmendjen në aspekt negativ për atë se një person i një etnie tjetër komenton prokuroren speciale, Fatime Fetain e cila është shqiptare.

SHGM-ja ua ka bërë me dije gazetarëve çfarë duhet bërë e çfarë jo!

Ashtu edhe siç ka theksuar SHGM-ja në reagimin e saj, por që media në fjalë sërish e ka shkelur edhe pse e ka transmetuar, me përcjelljen e gjuhës diskriminuese në këtë variant, ajo përveç se ka shkelur Kodin Etik të Gazetarëve (KEG), ka përhapur dhe shovinizëm.

“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cenojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)”, thuhet në nenin 10 të KEG-së.

Çfarë është Shovinizimi?
Nacionalizëm i skajshëm dhe reaksionar, ekskluzivitet kombëtar, pikëpamje për kombin vetjak si superior kurse për kombet tjera si kombe inferiore; intolerancë kombëtare. Termi shovinizëm nuk tërheq me vete gjykimin se shovinisti është në të drejtë ose gabim, por flet për faktin se ai është i verbër dhe i paarsyeshëm, se injoron faktet. Ariel Levy thotë se shumë gra të reja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke “përshkruar kulturën e pahijshme” përdorin atribute mashkullore tradicionale, e përsëritin stereotipat gjinore. (Pajaziti, 2009)

Koncepti i manipulimit: Thirrja në autoritet

Megjithëse në tekst është transmetuar edhe reagimi i SHGM-së ku dënohet gjuha diskriminuese, bashkëngjitja e qëndrimit të gazetarit bën që lajmi i recensuar të përmbajë konceptin e manipulimit “Thirrja në autoritet”. Ai përdoret me qëllim që të krijohet qëndrimi që nëse është thënë nga gazetari, ajo është diçka e drejtë dhe me interes për publikun.

Për lexuesin: Bëni selektim gjatë leximit

Mundohuni të ndani pjesët e relevante dhe jorelevante të artikullit gazetaresk. Në rastin në fjalë, me rëndësi është vetëm informata e reagimit të SHGM-së dhe jo të qëndrimit të gazetarit të apostrofuar. Kjo bëhet me qëllim që ju të njihni gjuhën diskriminuese, ta denonconi atë dhe të mos e përvetësoni. Në situatën në fjalë, shkrimi ka bërë që ju të informoheni për urrejtjen gjinore dhe nacionaliste të gazetarit, jashtë interesit publik dhe të vëreni joprofesionalizëm në median lajmin e të cilit e recensuam.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button