Opozita: duam që Maqedonia e Veriut të marrë datë për fillimin e negociatave, por nuk e meriton

Partitë opozitare Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE janë të gjithë një mendje se Maqedonia e Veriut, ndonëse ata dëshirojnë që të marrë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, e njëjta nuk e meriton. Ata thonë se ndonëse qeveria aktuale ka dështuar në përmbushjen e obligimeve, qytetarët e RMV-së nuk duhet të vuajnë pasojat e një qeverisje të keqe, transmeton Portalb.mk.

Të tre partitë njëzëri pranojnë se vendi ka probleme të shumta të pazgjidhura, por edhe pse nuk e meriton, do të ishte mirë për qytetarët e RMV-së që vendi të marrë datë për fillimin e negociatave me BE-në, dhe se të njëjtët nuk duhet të vuajnë pasojat e një qeverie, që sipas tyre, është e dështuar.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se janë skeptik për marrjen e datës pasi institucionet që duhet të jenë të pavarura nuk po reformohen por po i shërbejnë politikës. Gjithsesi, ata thonë se janë pro marrjes së datës dhe se kanë lobuar te faktori ndërkombëtar për marrje të së njëjtës.

“Ne si Aleancë jemi të interesuar që vendi të marrë datë sa më parë, kemi lobuar vazhdimisht tek faktori ndërkombëtar sepse kemi vlerësuar se nuk duhet të ndëshkohen qytetarët e Maqedonisë së Veriut nga e ardhmja euro integruese, për shkak dështimit të kësaj Qeverisje në (mos)përmbushjen  e obligimeve të marra nga BE”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga ana tjetër, edhe Lëvizja Besa mban të njëjtin qëndrim skeptik për marrje të datës, por që shpreson se Brukseli do të ketë parasysh interesin e qytetarëve të RMV-së.

“Nëse nisemi nga veprimet dhe angazhimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, lirisht mund të konstatojmë se ende jemi shumë larg vlerave evropiane për një qeverisje të mirë. Fatkeqësisht në kuadër të të njëjtit dështim institucional mund t’i fusim të gjitha institucionet e shtetit si parlamentin, gjyqësorin etj. Por, shpresojmë se Brukseli zyrtar para se të vendos për fatin e Maqedonisë për rrugëtimin e mëtutjeshëm të saj drejtë BE-së do të ketë parasysh fatin dhe interesin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët meritojnë që të jetojnë në një Maqedoni evropiane. Urojmë që Brukseli zyrtar të na japë edhe një mundësi duke vendosur në tetor që me Maqedoninë e Veriut t’i hapë negociatat për anëtarësim në BE”, thonë nga Lëvizja Besa.

Edhe VMRO-DPMNE thotë se është mirë për vendin që të marrë datë për fillim të negociatave, por se në gjendjen në të cilën është aktualisht Maqedonia e Veriut nuk e meriton.

“Është mirë që Maqedonia të marrë një datë, të gjithë duam që Maqedonia të marrë një datë, është e mirë për vendin dhe ne të gjithë jemi të vendosur bashkërisht në këtë qëndrim. Por siç është kjo qeveri, me të vërtetë nuk e meriton të marrë datë. Por në çdo rast, është mirë që shteti të marrë datë, sepse qytetarët e Maqedonisë nuk kanë pse të mbajnë pasojat e qeverisjes së keqe, 2 milion qytetarë të Maqedonisë nuk duhet të vuajnë pasojat e qeverisjes së keqe të Zaevit”, thotë Vllatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut pritet që deri më datë 18 tetor të marrë përgjigje për atë se a do të marrë ose jo datë për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button