fbpx

Kjo është data përfundimtare kur do të dihet nëse RMV do të marrë datë për fillimin e negociatave me BE-në

Mes 17 dhe 18 tetorit do të dihet nëse Maqedonia e Veriut do të marrë ose jo datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Pas rekomandimit të Komisioni Evropian për fillim të negociatave në qershor, ngelet që të gjithë shtetet anëtare të BE-së të bien dakord unanimisht për fillimin e negociatave, transmeton Portalb.mk. A do ta ndjekin shembullin e Gjermanisë edhe shtetet tjera, sidomos Franca?

“Pritet që Ministrat e shteteve anëtare të vendosin nëse do të fillojnë negociatat me vendin në mbledhjen e ardhshme të Këshillit për Punë të Përgjithshme që do të mbahet më 15 tetor, ndërsa vendimi përfundimtar do të duhet të merret nga drejtuesit e Shteteve anëtare të BE-së, njëzëri, gjatë mbledhjes së Këshillit të Bashkimit Evropian më 17 dhe 18 tetor 2019”, thonë nga delegacioni i BE-së në RMV për Portalb.mk.

Sinjal pozitiv për dhënien e datës dërgoi mbrëmë Gjermania e cila votoi me shumicë votash për dhënien e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pritet të shihet nëse vendet tjera anëtare, sidomos nëse Franca e cila ka qenë më kritike për ngecjen e reformave në gjyqësor në Maqedoni, do të ndjekë shembullin e Gjermanisë.

Në kontekst të pritjes së vendimit për fillimin e negociatave me BE-në në tetor, ambasadori francez Kristian Timonie, kohë më parë vlerësoi se pozicioni i Maqedonisë tani është më pak i fuqishëm për shkak të ngjarjeve rreth rastit “Reket” dhe pamundësisë që të arrihet marrëveshje për ligjin për PP-në.

Maqedonia ka ende punë, edhe nëse merr datën

“E mirëpresim votimin e sotëm të Bundestagut për nisjen e negociatave për integrim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në tetor. Njohja e përparimit konkret është kyç për nxitjen e reformave në Ballkanin Perëndimor dhe për kredibilitetin e BE-së”, tha komisari për Zgjerim të BE-së, në largim, Johanes Han nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social “Tuiter”.

“Raporti i BE-së për zhvillim të Maqedonisë tregon se ka zhvillim të caktuar në disa fusha, por ekzistojnë edhe mjaft fusha ku ende patjetër duhet që të punohet, të zbatohen reformat e patjetërsueshme në procesin integrues. Siç shihet, raporti është çështje qendrore dhe prioritet është theksuar në zbatimin e reformave të patjetërsueshme, sundimin e ligjit me të gjitha aspektet që i nënkupton”, theksoi para do kohe, Rajnhard Pribe.

Pribe e ka udhëhequr grupin pesë anëtaresh të ekspertëve të BE-së të obliguar për çështje sistematike, në deklaratë për media ka theksuar se më nuk është përfaqësues zyrtar i BE-së, por personalisht ndjehet se Maqedonia dhe shtetet nga rajoni do të bëjnë hapa drejt procesit të integrimit.

“Në çdo rast, reformat të cilët i treguam ne, ndërkaq theksohen edhe në raportin e BE-së, duhet që të bëhen, jo vetëm për shkak të zhvillimit të procesit eurointegrues, por për vetë shtetet dhe qytetarët”, tha Pribe.

“Sundimi i së drejtës  është kyçe për afrimin drejt BE-së, të gjitha resurset dhe fuqitë në shoqëri do të duhej që të angazhohen dhe të drejtohen nga ai qëllim”, tha Pribe.

Komisioni Evropian dha rekomandimin për të filluar negociatat e pranimit në qershor.

Kreu i shtetit në Maqedoninë e Veriut pret vendim pozitiv

Në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ditëve të fundit kryeministri Zoran Zaev ka marrë mbështetje nga krerë shtetërorë për marrjen e datës për nisjen e negociatave. 

Ai ka pritje optimiste për marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në. Sipas tij, ai është optimist pasi ka pasur dhjetë rekomandime të njëpasnjëshme nga Komisioni Evropian si dhe në bazë të rezultateve të arritura të vendit në zbatimin e reformave në përputhje me standardet evropiane.

Presidenti Stevo Pendarovski shpreson se fillimi i negociatave do të jetë një shtysë e fortë për realizimin e mëtutjeshëm të reformave thelbësore të vendit deri në anëtarësimin e saj të ardhshëm në Union, i cili do të kontribuojë në stabilitetin e përgjithshëm dhe prosperitetin e vendit dhe rajonit.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close