Nëse shpallet fajtor ish kreu i Penales, Pançevski mund të dënohet prej 6 muaj deri në 3 vjet burg

Ish kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski mund të dënohet prej 6 muaj deri në 3 vjet burg nëse shpallet fajtor se e ka shpërdorur detyrën dhe autorizimin zyrtar duke shpërndarë lëndë gjyqësore në mënyrë manuale, gjegjësisht duke mënjanuar përdorimin e sistemit AKMIS, njofton Portalb.mk.

Reformat në gjyqësi janë kusht kryesor për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Pançevski akuzohet nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar, sipas nenit 353 paragrafi 1 në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal.

“Personi zyrtar i cili e shfrytëzon detyrën ose autorizimin zyrtar, me tejkalim të kufijve të autorizimit ose me moskryerje të detyrës së tij zyrtare do të përvetësojë ndonjë përfitim ose dikujt tjetër do t’i bëjë dëm, do të dënohet me burg prej gjashtë muaj deri në tre vjet me burg”, thuhet në paragrafin 1 të nenit 353 për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar të Kodit Penal.

Njohësit e çështjeve juridike të konsultuar nga Portalb.mk, shkurt thanë se procedura gjyqësore duhet të ndiqet, ndërkaq nuk deshën të komentojnë paraprakisht pa mbaruar procesi gjyqësor.

Ndryshe, Pançevski më 21 tetor duhet të ulet në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Velesit, për keqpërdorimet me sistemin AKMIS, gjegjësisht për shpërndarje të lëndëve gjyqësore në mënyrë manuale derisa ka qenë kryetar i Gjykatës Themelore Shkupi 1.

Pançevski u pezullua nga puna për kryerjen joprofesionale dhe të pandërgjegjshme të funksionit të gjykatësit. Prokuroria ka ngritur akuzë kundër Pançevskit, për kurdisje të lëndëve te gjyqtarët e përshtatshëm derisa ishte në krye të Gjykatës së Shkupit. Sipas Prokurorisë, ai ua ka ndarë e dorë lëndët gjyqësore gjyqtarëve të përzgjedhur, duke e anashkaluar sistemin për shpërndarje elektronike AKMIS. Përveç rasteve të Prokurorisë së rregullt, Pançevski ka ndarë me dorë edhe lëndë të cilat i ka drejtuar Prokuroria Speciale.

Akuza ndaj Pançevskit u ngrit pasi që në fund të vitit 2017-të Ministria e Drejtësisë e publikoi raportin që doli nga kontrolli i sistemit AKMIS. Pas kontrollit të bërë në Gjykatën Themelore Shkupi 1 plani vjetor për menaxhim me lëndët gjyqësore është sjellë më vitin 2013 dhe për të njëjtin nuk është formuar trup punues, gjë e cila nënkupton se lëndët janë ndarë në mënyrë manuale. Edhe orari i punës në këtë gjykatë nuk ka qenë stabil, vetëm gjatë shtatorit të 2017-s i njëjti është ndryshuar tre herë.

Për manipulimin e sistemit u shkruajt edhe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), të cilët i theksuan me emër dhe mbiemër kryetarët e Gjykatës Themelore të Shkupit dhe asaj Supreme, si të përfshirë në skandalin me AKMIS.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button