Liderët botërorë bëjnë thirrje për një takim Trump-Rohan

Britania, Franca, Gjermania dhe Japonia janë përpjekur të bindin udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për të ringjallur diplomacinë derisa ata morën pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Ndërkohë, kryeministri pakistanez, Imran Khan, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite i kërkuan atij të ndërmjetësonte me Iranin, për të qetësuar tensionet.

Marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Iranit janë tensionuar që nga viti i kaluar kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u tërhoq nga një marrëveshje bërthamore me Teheranin, dhe vendosi sërish sanksione që synojnë industrinë e saj të naftës dhe në fushën e financave.

Presidenti ka thënë se marrëveshja ishte e negociuar keq dhe se ajo i mundësonte Iranit të posedojë armë bërthamore.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha më 24 shtator se do të ishte “një mundësi e humbur” nëse presidenti iranian, Hassan Rohani, do të largohej nga Shtetet e Bashkuara, pa u takuar me Trumpin.

Kryeministri britanik, i cili u takua me Rohanin dhe Macronin në Kombet e Bashkuara, mbështeti deklaratën e presidentit francez.

Drejtuesit e Gjermanisë dhe Japonisë gjithashtu mbajtën takime me Rohanin dhe Trumpin, duke u kërkuar atyre të takohen.

Ndërkohë, Khan u tha gazetarëve se Trump i kishte kërkuar që “të ulë tensionet dhe ndoshta të dilet me një marrëveshje tjetër bërthamore”.

Khan tha se pas takimit me Trumpin menjëherë u takua me presidentin Rohani. Ai tha se Pakistani “po përpiqet të ndërmjetësojë”.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që përfshin gjithashtu Britaninë, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën si nënshkruese, kishte për qëllim të frenonte programin bërthamor të Iranit ndërsa hiqte sanksionet ndaj këtij vendi.

Megjithatë presidenti amerikan tha se Uashingtoni do të intensifikojë presionin ndaj Iranit. Teherani në anën tjetër ka thënë se bisedimet nuk do të rinisin me Shtetet e Bashkuara derisa të lehtësohen sanksionet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button