Martesa e shkupjanit dhe durrsakes që theu rekorde

Shuhet në moshën 100 vjeçare Shaban Gugashi, “rekordmeni” i dashurisë durrsake që bashkë me zonjën, Sulltane Gugashi kishin hyrë në 75 vjetorin e martesës së tyre duke vendosur një rekord jo vetëm shqiptar por edhe botëror, transmeton Koha.net.

Ai lindi më 14 qershor 1919, në Shkup, nga një familje gjakovare. Në kohen kur ai lindi, kufijtë e Shqipërisë nuk ishin të ndaluar për shqiptarët që kishin banesë dhe aktivitete kudo ku banonin shqiptarët në Ballkan. Babai tij Ramadani kishte aktivitet në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, në qytetin e Durrësit. Aty ku sot është Pallati i Kulturës ka qenë një restorant pikërisht nën pronësinë e tij.

Shabani vjen në Durrës, pas studimeve në Shkup dhe merret me mbarëvajtjen e biznesit familjar, por pas pak muajsh ra në kontakt me Lëvizjen Atdhetare Antifashiste dhe ai arrestohet nga italianët. Familja paguan për të dhe pasi del nga burgu ai shkon partizan. Luftoi dhe vazhdoi shërbimin në Shtabin e Përgjithshëm deri në vitin 1945.

Falë studimeve në Shkup ai fillon punë në ofiçinën e parë mekanike në Durrës me specialistin italian Mario Catalanin dhe durrsakun Kosta Mano. Në vitet 1947-1948 për nevojat e popullsisë lindi nevoja e krijimit të fabrikës së makaronave, që në atë kohë quhej punishtja e Beshirit, që ishte tek kryqëzimi i lagjes së re, ose te ish shkolla natës.

Më pas u krijua një fabrikë tjetër pikërisht përballë Spitalit Rajonal Durrës me rreth 200 punëtorë e cila më pas po me drejtimin mekanik të usta Shabanit u transferua tek fabrika makaronave, atje ku është edhe sot firma Teuta.

Shaban Gugashi në moshë shumë të re me asistencën e mjeshtrit italian ndërtoi makineritë e para dhe Durresi u bë furnizuesi i gjithë Shqipërisë me makaronat e para “made in Albania”. Këto linja më pas me porosi të Ministrisë së lehtë e ushqimore u shtrinë në gjithë Shqipërinë dhe në të gjitha ishte firma e mjeshtrit Gugashi. Në fabrikën e makaronave ai u njoh me zonjën Sulltane qe ishte nga familja durrsake Cyrbja dhe në fund të marsit 1946 martohen së bashku, për të kaluar së bashku gati 75 vjet. Nga martesa e tyre erdhën në jetë tri vajza dhe një djalë.

Me ikjen nga jeta të Shaban Gugashit shuhet një rekord jete martesore, ikën nga jeta një nga të paktët partizanë antifashistët e gjallë në shekullin XXI, ustai i ndërtimit të makinerive të prodhimit të makaronave, një baba dhe gjysh e stërgjysh për dhjetëra nipër e stërnipër por edhe një bashkëqytetar Durrsak që jetoi në dy shekuj, në tre shtete ku shtrihet kombi shqiptar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button