Shqipëri, tryezë diskutimi për dialogun mes deputetëve dhe të rinjve

Në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë është zhvilluar tryeza e diskutimit me temë bashkëpunimin dhe dialogun mes ligjvënësve dhe të rinjve, sidomos gjimnazistëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e aktivitetit ishin deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare që mbrojnë dhe promovojnë të rinjtë, ndërsa në fokus ishin diskutimet për dialogun mes deputetëve dhe të rinjve.

Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Rudina Hajdari, gjatë fjalës në aktivitet tha se të rinjtë sot kanë një përgjegjësi shumë të madhe, sipas saj, duke përfshirë edhe vlerësimet dhe mendimet për projektligjet.

Duke iu drejtuar të rinjve pjesëmarrës, Hajdari theksoi se: “Jetoni në një ambient tejet të ngarkuar me informacion dhe fenomeni i mediave sociale ju ndikon çdo ditë. Shumë studime thonë se të rinjtë sot janë më të depresionuar se kurrë më parë. Kjo kërkon që ju të jeni më të përgjegjshëm. Atë që thoni mbrojeni deri në fund dhe ky është mesazhi im për ju sot, që të jeni aktiv dhe të na tregoni vërtetë se çfarë mendoni dhe ne të kemi kurajën të zbatojmë udhëzimet tuaja”.

Adelina Rista, deputete e Kuvendit të Shqipërisë, u shpreh ky aktivitet është një mundësi për të rinjtë për të shpalosur idetë e tyre dhe që ta shikojnë veten edhe si politikanë të së ardhmes.

“Zgjedhësit sytë dhe mendjen i kanë tek ju. Pëlqejnë gjuhën e paqes dhe jo gjuhën e konfliktit. Pëlqejnë modelin e paqes dhe jo modelin e konfliktit, që gjërat të zgjidhen me ura komunikimi dhe jo në mënyrë konfliktuale”, tha Rista.

Përfaqësuesi i Parlamentit Rinor të Tiranës, Erti Poka, tha se rinia është pjesa më vitale e shoqërisë dhe, sipas tij, pjesa tek e cila çdo gjeneratë ka sytë.

“Ndihem krenar që Parlamenti Rinor prej tre vitesh ka realizuar një punë mjaft të mirë për problemet kryesore që kanë të rinjtë në Shqipëri dhe duke u munduar të t’i zgjidhim ato. Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se vetë rinia ka një potencial shumë të madh. Duke parë një rini që është shumë aktive, unë jam realisht shumë optimist që gjërat do të ndryshojnë për mirë”, tha Poka.

Qëllimi i aktivitetit ishte që të krijohet një platformë debati mes deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të rinjve nga disa qytete të vendit për shpalosjen e ideve rreth projektligjeve dhe nismave të ndryshme parlamentare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button