Ish kreu i Penales Pançevski, do të gjykohet në Veles për keqpërdorimin e AKMIS-it

Ish kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski, më 21 tetor duhet të ulet në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Velesit, për keqpërdorimet me sistemin AKMIS, gjegjësisht për shpërndarje të lëndëve gjyqësore në mënyrë manuale derisa ka qenë kryetar i Gjykatës Themelore Shkupi 1 njoftojnë për Portalb.mk, nga Prokuroria Themelore Publike.

Reformat në gjyqësi janë kusht kryesor për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

“Me vendim të Gjykatës së Apelit në Shkup, Gjykata Themelore e Velesit është caktuar Gjykatë kompetente që të veprojë për lëndën AKMIS, me qëllim që të përjashtohet çdo dyshim në paanshmërinë e gjykatës së shkallës së parë në Shkup, duke e pasur parasysh se i akuzuari është gjykatës në gjykatën konkrete. Akuzën gjatë procedurës gjyqësore do ta përfaqësojë Prokuroria Themelore Publike e Velesit”, thonë nga Prokuroria.

Pançevski u pezullua nga puna për kryerjen joprofesionale dhe të pandërgjegjshme të funksionit të gjykatësit. Prokuroria ka ngritur akuzë kundër Pançevskit, për kurdisje të lëndëve te gjyqtarët e përshtatshëm derisa ishte në krye të Gjykatës së Shkupit. Sipas Prokurorisë, ai ua ka ndarë e dorë lëndët gjyqësore gjyqtarëve të përzgjedhur, duke e anashkaluar sistemin për shpërndarje elektronike AKMIS. Përveç rasteve të Prokurorisë së rregullt, Pançevski ka ndarë me dorë edhe lëndë të cilat i ka drejtuar Prokuroria Speciale.

Akuza ndaj Pançevskit u ngrit pasi që në fund të vitit 2017-të Ministria e Drejtësisë e publikoi raportin që doli nga kontrolli i sistemit AKMIS. Pas kontrollit të bërë në Gjykatën Themelore Shkupi 1 plani vjetor për menaxhim me lëndët gjyqësore është sjellë më vitin 2013 dhe për të njëjtin nuk është formuar trup punues, gjë e cila nënkupton se lëndët janë ndarë në mënyrë manuale. Edhe orari i punës në këtë gjykatë nuk ka qenë stabil, vetëm gjatë shtatorit të 2017-s i njëjti është ndryshuar tre herë.

Për manipulimin e sistemit u shkruajt edhe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), të cilët i theksuan me emër dhe mbiemër kryetarët e Gjykatës Themelore të Shkupit dhe asaj Supreme, si të përfshirë në skandalin me AKMIS.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button