Për votën në BE, Micotakisi i kërkoi Ramës pronat dhe vetëdeklarimin e minoritetit grek

Kryeministri Edi Rama është takuar dje në SHBA me homologun grek Kirjakos Micotakis. Takimi i parë që pas marrjes së detyrës së kryeministrit grek, është bërë gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, njofton Koha Jonë.

Rama ka dhënë shumë pak detaje duke e konsideruar takimin si një “prezantim miqësor dhe bashkëbisedim i hapur”.

Ndërkohë media greke “Kathimerini” zbulon disa detaje nga takimi që kryeministri shqiptar Edi Rama pati me homologun grek Kirjakos Micotakis gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Mediat greke raportojnë se në takim janë diskutuar çështje për të cilat Athina ka kërkuar përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga BE, përfshirë ato që lidhen me të drejtat e pakicës kombëtare greke në Shqipëri.

Sipas mediave Kirjakos Micotakis ka theksuar çështjen e së drejtës së vetëpërcaktimit si dhe të së drejtës pronësore të minoritetit grek, si kusht kryesor i mbështetjes greke. Pak ditë më parë, qeveria greke deklaroi se vota e Athinës për hapjen e negociatave do të varej nga qëndrimi i Tiranës ndaj minoritetit grek. Bie në sy se çështja e minoritetit është paraqitur si një kërkesë që vjen nga Bashkimi Europian dhe është pjesë e kushteve për negociatat.

Mediat greke citojnë burime të qeverisë së Athinës, të cilat deklarojnë se “Rama ka shprehur gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me Greqinë për çështjet me interes të veçantë për Athinën”. Media greke “Big Busines” shkruan se kryeministri grek është shprehur në favor të integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit në BE, në bazë të plotësimit të kushteve.

Dy kryeministrat kanë rënë dakord që të zhvillojnë një diskutim më të gjerë për marrëdhëniet mes dy vendeve, gjatë Samitit Euro-Arab, që do të mbahet në Athinë në 29-30 tetor të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button