Ç’ndodhi me dy gazetarët që përhapën dje lajmin për tërmetin e fuqishëm

Lajmi i mbrëmshëm i botuar në dy portale shqiptare, se Shqipëria do të goditej nga një tërmet i fuqishëm prej gjashtë ballësh në orën 23.30 mori përmasa të paparashikuara. Për shkak të valës së vazhdueshme të goditjeve nga tërmeti, me intensitet dhe kohëzgjatje më të vogël sigurisht, fakti që një goditje kaq e fuqishme do të prekte sërish vendin, e parashikuar kjo sipas një sizmiologu grek bëri që shumë qytetarë ta gdhijnë natën në makina, në autostrada, në qiell të hapur, duke mbrojtur veten, fëmijët e familjet e tyre, transmeton Revista Class.

Ka qenë i pari portali Syri.net dhe gazetari Aurel Rakipllari ata që kanë publikuar të parët lajmin me titullin që shkaktoi jo pak panik: Dilni nga shtëpitë. Parashikohet tërmet i fuqishëm! Më pas gazeta “Shekulli” përcolli të njëjtin lajm që mban autorësinë e gazetares Daniela Grica.

Mjaftoi kaq dhe tek qytetarët u përhap një valë paniku e madhe, që i detyroi shumë prej tyre të lënë shtëpitë për të qëndruar jashtë. Lajmi u përgënjeshtrua menjëherë nga kryeministri Edi Rama, e më pas nga Ministria e Mbrojtjes përmes ministres Olta Xhaçka e cila direkt pas lajmit doli mbrëmë në një konferencë për shtyp ku shpjegoi situatën aktuale dhe faktin se pse tërmetet janë të paparashikueshme.

Por, pak orë pas gjendjes së alarmit dhe panikut të madh që u shkaktua tek qytetarët, Policia e Shtetit përmes një njoftimi zyrtar bëri me dije arrestimin e dy gazetarëve të portalit Syri. net dhe të gazetës Shekulli.

Njoftimi i plotë:

Menjëherë pas publikimit të një lajmi të rremë në portalin “SYRI.net” dhe më pas edhe në disa portale të tjera, se sipas parashikimeve të një sizmologu grek do ketë në orën 23.30 një tërmet të fuqishëm, lajm i cili shkaktoi panik të madh tek qytetarët të cilët braktisën banesat dhe dolën në rrugë, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë shoqëruar në Polici gazetarin e portalit “SYRI.net”, Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e “Shekullit”, për veprime të mëtejshme, të cilët kanë bërë publikimin e këtij lajmi të rremë, me pasoja paniku te qytetarët.

Policia e Shtetit ka ngritur nëj grup të posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij lajmi dashakeq që krijojë frikë e panik tek qytetarët. Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e njoftimeve dashakeqe dhe siguron ata se cilido që  do përhapë njoftime të tilla do të përballet me forcën e ligjit. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen më të kujdesshëm në njoftimet që shpërndajnë, duke kërkuar informacion zyrtar para publikimeve të lajme që krijojnë frikë e panik tek qytetarët”.

Mësohet se vetëm pak minuta më parë, dy gazetarët Rakipllari dhe Grica janë lënë të lirë, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button