Kryeministri Johnson: Britania do të konsiderojë t’i bashkohet përpjekjeve ushtarake për të mbrojtur Arabinë

Kryeministri britanik Boris Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar do të konsideronte t’i bashkohej përpjekjeve ushtarake për të mbrojtur Arabinë Saudite, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur para përfaqësuesve të mediave para nisjes në SHBA për në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Johnson tha se “Mbretëria e Bashkuar po ia lë përgjegjësinë Iranit në një shkallë shumë të lartë të mundësive për sulmet ndaj Aramco-s”.

“Ne do të ndjekim këtë nga afër”, tha Johnson.

“Dhe, kuptohet që nëse kërkohet nga ne, qoftë nga sauditët apo nga amerikanët, që të kemi një rol, atëherë ne do të konsiderojmë se në cilën mënyrë mund të jemi të dobishëm, varësisht se cili është plani i saktë”, shtoi ai.

Johnson ka përsëritur pozicionin e Mbretërisë së Bashkuar se do të punonte me SHBA-të dhe partnerët e tjerë “për të përpiluar një reagim i cili do të përpiqet të de-eskalojë tensionet në rajonin e Gjirit”.

Ai gjithashtu tha se sanksionet kundër Iranit janë akoma një ndër opsionet në tavolinë.

Tensionet janë përshkallëzuar në rajonin e Gjirit pasi dronë sulmuan dy fabrika të naftës në veri të Arabisë Saudite më 14 shtator.

Rebelët Huthi nga Jemeni fillimisht morën përgjegjësinë për sulmin, por SHBA ka fajësuar Iranin, ngjashëm siç ka bërë edhe Arabia Saudite. Irani ka mohuar çdo lidhje me sulmet.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, javën e kaluar u takua me princin e kurorës, Mohammed bin Salman, për një “reagim të koordinuar”.

“Ne po punojmë që të ndërtojmë një koalicion për të zhvilluar një plan për t’i parandaluar ata”, tha ai.

“Kjo është ajo që duhet të ndodhë. Ky është një sulm në një shkallë që ne thjesht nuk e kemi parë më parë”, tha Pompeo, duke përshkruar sulmin si “një veprim lufte”.

Sipas agjencisë gjysmë-zyrtare të lajmeve Mehr, komandanti i Marinës së Iranit, admirali Hossein Khanzadi, u zotua për një “përgjigje shkatërruese” ndaj çdo sulmi ndaj vendit.

“Në rast të ndonjë llogaritje të gabuar dhe agresioni nga armiku, marina e ushtrisë, së bashku me forcat e tjera të armatosura të vendit, do të japin përgjigjen më shkatërruese në kohën më të shkurtër të mundshme”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button