Data për negociata me BE-në vendimtare nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme?

Opozita në Maqedoninë e Veriut kërkon zgjedhje të parakohshme pranverën e ardhshme. Pushteti pajtohet për zgjedhje, por në vjeshtë. Kryeparlamentari Talat Xhaferi thotë që zgjedhjet e parakohshme nuk janë në favor të askujt. Një pjesë e analistëve theksojnë që nëse s’ka datë për negociata, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë aspak zgjidhje dhe s’i duhen askujt, thotë njeriu i parë i Kuvendit, Talat Xhaferi, në intervistën javore për Radion Evropa e Lirë. Ai vlerëson që ato mund edhe më shumë t’i komplikojnë raportet politike dhe situatën në vend.

“Zgjedhjet nuk janë zgjedhje sepse për shkak se të gjithë duhet të përqendrohemi në atë që është përcaktim i deklaruar strategjik me të gjitha procedurat dhe aktet në Kuvend dhe institucionet tjera, përkatësisht t’i rrumbullakojmë proceset e anëtarësimit në BE dhe NATO. Në kontekst të NATO-s kjo është më e arritshme nëse njëri nga vendet anëtare të NATO-s i përfundon procedurat për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme, ndaj nëse arrin t’i përfundojë procedurat, ajo procedurë do të përfundojë në dhjetor. Pastaj pritet të fillojnë negociatat, kjo s’do të thotë anëtarësim automatik, por hapje e kapitujve një pas një, ky është proces më i gjatë, por në kontekst të integrimeve në këtë moment është e rëndësishme të fitohet data dhe të niset ai proces”, thotë Xhaferi në intervistën javore të REL.

Ndërsa, sipas disa analistëve, nëse në samitin e ministrave në tetor eventualisht nuk merret datë për hapje të negociatave, me siguri do të intensifikohen aktivitetet e partive për zgjedhje të parakohshme.

“Nëse vendi ynë nuk merr datë për fillim të negociatave, menjëherë vjen deri te kriza politike dhe partitë menjëherë do të jenë nën presion për të shkuar në zgjedhje të reja për shkak se pushteti do të duhet t’i pyet qytetarët nëse në përgjithësi dëshirojnë të vazhdojnë në atë drejtim. Nëse pavarësisht të gjitha përpjekjeve kjo nuk përfundon me sukses, përkatësisht me datë për fillim të negociatave, ashtu që, është i saktë konstatimi që nëse nuk përcaktohet data, në atë rast gjithsesi do të ketë zgjedhje”, thotë analisti politik Petar Arsovski.

Arsovski thotë që zgjedhjet nuk do t’i komplikojnë gjendjet, nëse paraprakisht përfundohen proceset e datës për negociata dhe protokolli për ratifikim të anëtarësisë në NATO. Nëse ato ndodhin për shkak të mungesës së një prej këtyre dy punëve, atëherë të njëjtat mund të shkaktojnë krizë më serioze politike, konsideron Arsovski.

“Kujt më shumë i përshtaten zgjedhje të parakohshme në këtë situatë, varet nga narrativet për shkak të të cilave ato eventualisht mund të shpallen. Nëse shpallen për shkak të marrjes së datës për negociata dhe ratifikim të anëtarësisë në NATO, atëherë janë në interes të pushtetit. Nëse shpallen për shkak se nuk kemi marrë datë për negociata, atëherë janë në interes të opozitës”, deklaroi Arsovski.

Çështja për zgjedhje të parakohshme ishte një nga pikat për të cilat kanë biseduar liderët e dy partive më të mëdha Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski në takimin e fundit të liderëve.

Paraprakisht VMRO-DPMNE opozitare ka kërkuar zgjedhje të parakohshme në prill ose maj të vitit të ardhshëm.

Kryeministri Zoran Zaev u përgjigj që zgjedhje të parakohshme siç kërkon opozita nuk do të ketë. Ai ka thënë që tani është koha për rezultate ekonomike, ndërsa nëse shkojmë në zgjedhje të shpejta, të parakohshme ato nuk do të jenë të mundshme.

“Mbetem në qëndrimin që duhet të shkojmë në zgjedhje të rregullta. Kemi parë  deri ku e çuan shtetin zgjedhjet e shpejta të parakohshme për shkak të konsultimeve politike. Po të kishte nevojë të shkonim në zgjedhje të parakohshme parlamentare, do t’i kishim shpallur së bashku me zgjedhjet presidenciale. Zgjedhje të rregullta duhet të ketë në dhjetor 2020, unë nuk kam aspak problem të përcaktohen për në tetor të vitit të ardhshëm”, ka thënë Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button