Gazetarët duhet t’u shmangen sensacionalizmit dhe të prezantojnë fakte

Burimi: KriThink 

 
Aksidentet assesi nuk po arrijnë të lirohen nga sensacioni medial dhe teoritë e konspiracionit. Rasti në të cilin i përfshirë ishte ministri i Kulturës, Hysni Ismaili iu shtua elementi “dyshimet për atentat”. Kjo është në kundërshtimet me parimet  e gazetarisë. Teksti që e recensojmë i shkel këto parime.

Kumanovapress: Aksidenti i ministrit Ismaili dyshohet se ishte atentat

Linku deri te artikulli origjinal: “Aksidenti i ministrit Ismaili dyshohet se ishte atentat”

Data e publikimit: 30.08.2019

Data e recensionit: 22.09.2019

Recensues: Fatbardha Curri

Titull sensacional me dozë dezinformimi

Që në titull, është përdorur senzacionalizmi. Ajo vjen e shfaqur me fjalën “atentat”, që përdoret me qëllim që të manipulohet publiku, duke nxjerrë një element të padëgjuar deri në atë moment. Madje, njeriu është qenie e tillë, sa ndaj të keqes është më i ndjeshëm dhe reagon duke mos analizuar ndodhitë nën prizmin racional por emocional. Dhe titujt e tillë janë grep për lexuesit.

Kjo është në kundërshtim me parimin e tetë të Kodit Etik të Gazetarëve.

“Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi. Në proceset gjyqësore duhet të respektohet parimi i pafajsisë, të raportohet për të gjitha palët e përfshira në kontest dhe të mos sugjerohet vendimi”.

Më pas, dezinformimi shfaqet nëpërmjet fjalës “dyshime”. Përdorimi i kësaj fjale është në kundërshtim me parimet gazetareske të cilat thonë se gazetari duhet të publikojë informacione të sakta dhe të verifikuara paraprakisht, nga burime të sigurta. Kjo mund të shihet edhe në pjesën e artikullit të cituar më poshtë.

“Burime policore nuk përjashtojnë dyshimet për atentat në bazë të rezultateve të para të hetimit”, thuhet në lajmin e recensuar.

Në praktikën gazetareske, në mungesë të fakteve të mjaftueshme për ndonjë lajm ose raportim, gazetarët shpesh e përdorin komentimin. Bile edhe atëherë kur do të përcaktohet për këtë formë gazetareske, gazetari duhet të mbajë një distancë të caktuar emotive nga ngjarjet dhe qëndrimet e tij t’i bazojë në argumente.

Në rastin e parë, megjithëse kemi burime, interpretimi është joadekuat, dhe paraqitet në atë formë, që t’i jep të drejtë “dyshimit për atentat”.

Koncepti i manipulimit: “Thirrje në probabilitet”

“Keto informacione kanë shqetesuar bashkepunetoret e afert të Ismailit, qe me të drejtë po pyesin se kujt po i pengon puna e tij”, thuhet në lajmin e recensuar.

Në rastin e dytë, pa cituar persona dhe arsye të deklaratave, përcjellin reagime të tyre. Kjo bëhet me qëllim që të manipulohet lexuesi dhe të krijohet te ai bindja, se nëse ka pasur aksident, është menduar për atentat nga persona të cilët duan ta pengojnë punën e ministrit Ismaili.

Kjo është në kundërshtim me parimin e parë dhe të dytë të Kodit Etik të Gazetarëve.

  1. Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.
  2. Nëse gazetari pengohet të arrijë deri te informata e kërkuar, ai ka të drejtë për këtë të informojë opinionin.

Për lexuesit: Mos besoni teoritë e konspiracionit

Rasti në fjalë, është ideal për t’u manipuluar, për shkaqe që i cekëm më lartë. Që ju të jeni të sigurt se jeni të informuar saktë, duhet të shihni burimet e cituara. Kur ato janë të verifikuara, atëherë është lajm i saktë. Meqë në rastin tonë kemi citim joadekuat, informatën mund ta verifikoni nëpërmjet mediave tjera. Informohuni nga më shumë burime.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button