Analizë: Rajoni është vonuar në hapjen e frontit kundër dezinformatave

Maqedonia e Veriut është faktikisht vendi i parë në rajon ku qeveria hap front institucional me dezinformatat. Ekspertë të mediave dhe gazetarë nga Serbia, Greqia, Shqipëria, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova folën në një sërë intervistash me Meta.mk gjatë periudhës së kaluar dhe thonë se autoritetet në vendet e tyre nuk kanë treguar interes për fillim ose përfshirje në luftën kundër lajmeve të rreme, transmeton Portalb.mk.

Kreu shtetëror i Maqedonisë e filloi zyrtarisht betejën institucionale për të përballur me lajmet e rreme. Presidenti Stevo Pendarovski, kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi dhe Kryeministri Zoran Zaev morën pjesë në seancën konstituive të Grupit aksionar për koordinim të institucioneve në luftën kundër dezinformatave, pasi Qeveria paraprakisht doli me një Propozim plan aksionar dy muaj më parë. Qëllimi është përmes dy llojeve të masave – të sigurisë, të cilat përfshijnë rishikimin dhe zhvillimin e protokolleve të reja dhe proaktive të komunikimit, të cilat do të rezultonin nga një debat i gjerë publik që do të përfshinte esnafin e gazetarëve, për të parandaluar shpërndarjen e informacioneve të pa verifikuar dhe të rreme.

Por si është gjendja në këtë plan në shtetet e rajonit përreth?

Konsulenti ndërkombëtar për media dhe shoqëri civile me përvojë të gjerë në gazetari Nenad Shebek, i cili ka punuar si drejtor i fondacionit Heinrich Boll, ndërsa më parë ka qenë zëdhënës i Këshillit rajonal për bashkëpunim, ka punuar edhe si Drejtor ekzekutiv i qendrës për demokraci dhe rindërtim të Evropës Juglindore, në bisedë për Meta.mk, duke iu referuar situatës në Serbi me dezinformatat dhe lajmet e rreme, ai në mënyrë sarkastike thotë se edhe po të kishte ndonjë plan për të luftuar dezinformatat, “do të ishte një shaka e mirë, sepse manipuluesi kryesor është vetë Qeveria “.

Në të njëjtën linjë është redaktori në „Vërtetmatësi“ (“Istinomer“) si pjesë e ekipit të “VIJA“ (“ЦРТА“) Sinisha Dedeiq, i cilia, në një intervistë për “Meta.mk“, në pyetjen nëse qeveria serbe ka plan për të luftuar dezinformatat, thotë se qeveria dhe media e afër me të janë prodhuesit më të mëdhenj të lajmeve të rremë në Serbi dhe se ky nuk është vetëm një vlerësim paushall i atyre të cilët “e urrejnë” qeverinë aktuale, por vlerësim zyrtar i ekspertëve të mediave.

– Prandaj ka tingëlluar si cinizëm propozimi i Ministrit të inovacionit dhe zhvillimit teknologjik në Qeverinë e Serbisë, Nenad Popoviç, i cili para do kohe i dorëzoi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic “propozim për krijimin e një grupi punues për mbrojtjen nga lajmet e rreme”, thotë Dedeiq, duke sqaruar se ajo ide kishte të bënte ekskluzivisht me keqinformim në rrjetet sociale.

Në një intervistë për “Meta” Teodoros Danilidis, themeluesin e “Ellinika Hoaxes”, ueb-faqja më e famshme e Greqisë që merret me lajme të rreme dhe dezinformata, thotë se vendi shpesh është temë e një numri të madh të dezinformatash që plasohen në disa media më të vogla ose në mediat sociale, por asnjë qeveri greke nuk ka provuar të marrë ndonjë masë për të kontrolluar lajmet e rreme në Greqi.

– Shumica e tyre thjesht e injorojnë problemin. Vitin e kaluar,  Shërbimi Grek i Transmetimit Publik (ERT) njoftoi se ata do të vendosin një mekanizëm për të kontrolluar përmbajtjen e tyre. Deri më tani nuk ka asnjë informacion të ri në lidhje me këtë iniciativë – thotë Danilidis.

Koloreto Cukali, kreu i  Këshillit të mediave të Shqipërisë, në intervistë për “Portalb.mk“, thotë se fabrika më e madhe e dezinformatave në Shqipëri është qeveria shqiptare, qyteti i Tiranës dhe partitë politike.

– Qeveria e Shqipërisë nuk planifikon të luftojë dezinformatat, pasi nuk mund të hyjë në luftë me vetveten. Por ajo e përdor pretekstin e luftës kundër dezinformatave për të krijuar mekanizma për kontroll të onlajn mediave,  siç është e ashtuquajtura pako ligjore “kundër shpifjes”. Përmes këtij projektligji, qeveria synon të krijojë mekanizma për të kontrolluar dhe penalizuar onlajn mediat për të shuar zërat kritikë ndaj saj që, për fat të keq, janë në dispozicion vetëm në mediat onlajn – thekson Cukali.

Redaktori i Faktoje.al,  shërbim për kontroll të fakteve (fact-checking) në Shqipëri, Alma Janka, një intervistuese në një intervistë për “Portalb.mk”, thotë se politika në Shqipëri është shpesh bazë për përhapjen e lajmeve të rreme. Nëse qeveria e Shqipërisë ka ndonjë plan për të luftuar kundër dezinformatave, Janka thotë:

– Edhe nëse ka ndonjë plan të tillë qeveria shqiptare, duket se deri më tani efektet nuk janë parë. Unë besoj se ka një përpjekje të vazhdueshme për të çorientuar publikun në një kohë kur ai publik ka vështirësi për të zbuluar të vërtetën dhe në disa raste publiku manipulohet nga vetë qeveria. Qeveria aktuale, në fillim kur e morri pushtetin (2013), pohonte se ishte zhvilluar propagandë intensive për të dezinformuar publikun ose qytetarët për të krijuar ndjenjë të mosbesimit dhe pasigurisë. Mendoj se kjo situatë është duke vazhduar dhe po përhapet te qytetarët, nga i gjithë spektri politik shqiptar, e jo vetëm qeveria – thotë Janka

Një nga themeluesit dhe kryetari aktual i Komitetit bullgar të Helsinkit (KBH), autor dhe redaktues i librave dhe botimeve të shumta në fushat e ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, sociologjinë e marrëdhënieve ndëretnike, të drejtën,  arsimin dhe estetikën dhe logjikën, Krasimir Kënev, thotë se qeveria bullgare nuk ka plan veprimi për të kundërshtuar dezinformatat dhe manipulimet.

– Përkundrazi, disa qarqe, që janë pjesë e tij janë shpërndarës aktivë të dezinformatave dhe manipulimeve. Kjo vlen, për shembull, për partinë VMRO, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës dhe ka luajtur rol aktiv në përhapjen e gënjeshtrave dhe manipulimeve për Konventës së Stambollit – thekson Kënev.

Edhe udhëheqësi edhe reporteri i njërit nga televizionet më të mëdha të Bullgarisë, bTV Ivan Georgiev,  në bisedën për “Meta.mk“   thotë se nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik për të trajtuar dezinformatat dhe manipulimet e mediave në Bullgari. Siç thekson ai, kjo ndodh sepse, para së gjithash, politikanët e qeverisë dhe bizneset e lidhura me to përfitojnë shumë nga të gjitha fushatat negative kundër mediave të pavarura në vend.

– Ka disa nisma të përbashkëta në BE, si dhe disa platforma evropiane, të cilat përpiqen të arrijnë tek konsumatorët vendorë të lajmeve, por unë do të thosha që rezultatet e tyre janë minimale ose edhe nuk ka. Edhe nëse ekziston plan të mirëfilltë, specifik për të luftuar lajmet e rreme dhe dezinformatat në Bullgari, unë nuk kam dëgjuar për të – thotë Georgiev.

Aktivisti qytetar, kritik i situatës aktuale në Bosnje dhe Hercegovinë dhe veçanërisht në Republika Srpska dhe kolumnist / bloger i rregullt në portalin “Frontal.ba“, Srgjan Puhalo i cili është doktor i psikologjisë, fushë e interesit e të cilit është psikologjia politike dhe hulumtimi i opinionit publik, në intervistën për “Meta.mk“, flet edhe për dezinformatat dhe abuzim me median, si dhe se sa aktivë janë autoritetet e BiH në atë fushë.

– Në BiH ka tre nivele të qeverisjes dhe është e vështirë të shihet se kush çka bën, por është e vështirë të pritet që qeveria t’ia pret rrugën kësaj fatkeqësie, kur ata i përdorin ato dezinformatë për të qëndruar në pushtet. Ata me deklarata janë të neveritur nga e gjithë kjo, por nuk ndërmarrin asgjë në atë plan – vlerëson Puhalo.

Edhe Tijana Cvjetiçanin, e cila është pjesë e ekipit të ‘zbulimit’ të Shërbimeve të kontroll të fakteve në Bosnje „Zbulimi“(“Raskrinkavanje” dhe “Vërtetmatësi“(“Istinomjer”), thotë se autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë nuk kanë plan të luftojnë lajmet e rreme. Sipas saj, ka disa histori të rritjes së shkrim-leximit në media, por ato janë shumë më tepër në shoqërinë civile dhe në qarqet akademike sesa në institucione.

– Sa i përket njohjes së dezinformatave si një temë konkrete me të cilën duhet të merren institucionet, nuk shoh vërtet se ekziston diçka e tillë. I kemi gjërat standarde, siç është Agjencia rregullatore e komunikimeve e cila ka kodin e saj të transmetimit, kështu  është tashmë 20 vjet dhe këtu nuk ka pasur nisma të rëndësishme”, thotë Cvijetiçanin.

Redaktori i Përgjithshëm i “Prishtina Insajt” (“Prishtina Insight”), Eraldin Fazliu, një intervistë për “Portalb.mk”, thotë se dezinformatat në Kosovës më së shpeshti vijnë nga politikanët e Kosovës. Sipas Fazliut, qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë aktivitet të veçantë për luftë kundër dezinformatave.

Madje, ajo që e bën situatën edhe më të keqe është se shumë departamente qeveritare paguajnë reklama në onlajn media të panjohura dhe të paregjistruara. Për marketing politik dhe aktivitetet e tyre politike, ministri të caktuara paguajnë media jo të besueshme. Pas mediave të tilla janë njerëz nga vetë ministritë – thotë ai.

Shkruan: Olivera Vojnovska

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button