Liderët e Kosovës dhe Shqipërisë reagojnë pas tërmetit në Adriatik

Pas tërmeteve në Shqipëri kanë reaguar edhe liderët në Kosovë e Shqipëri, ku kanë shprehur solidaritetin për të lënduarit.

Presidenti Hashim Thaçi në një postim në Facebook ka shkruar se ka kontaktuar me krerët e shtetit shqiptar dhe u ka ofruar ndihmën e FSK-së, transmeton KTV.

“Me shqetësim mora lajmin për pasojat e tërmetit që ndodhi sot në Shqipëri. Në biseda telefonike me presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama ju shpreha solidaritetin e shtetit dhe popullit të Kosovës, si dhe ua ofrova ndihmën tonë të pakursyer për tejkalimin e situatës. Kam kërkuar po ashtu nga Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, që FSK të jetë në gjendje gatishmërie. Të lënduarve nga shembjet e shkaktuara prej tërmetit iu uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar ai.

Kurse kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka shkruar se Kosova bashkëndjenë me të gjithë qytetarët e saj dhe me qytetarët e Shqipërisë që sot u tronditën dhe e pësuan nga tërmeti që goditi Tiranën, Durrësin dhe një pjesë të Kosovës.

“Menjëherë pas këtij lajmi, i kam shprehur shqetësimet dhe gatishmërinë tonë për të ndihmuar të gjithë të prekurit, Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Kam udhëzuar Gjenaralin e FSK-së, Rrahman Rama dhe Drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj që të vënë kontakte me homologët e tyre, për të ofruar çdo ndihmë të nevojshme. Në të njëjtën kohë, bazuar në kompetencat tona, Qeveria e vendit do ta ndihmojë Shqipërinë, me një ndihmë financiare për t’i evituar dëmet. Të gjithë të lënduarve u dëshirojmë shërim të shpejt dhe për ata që pësuan do të jemi në dispozicion të plotë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kurse kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka shkruar në Facebook, “Solidarizohem me motrat dhe vëllezërit shqiptarë matanë kufirit, që sot pësuan nga një tërmet i rëndë. Jemi të gatshëm ta mbështesim Shqipërinë në përballimin e pasojave, me çdo gjë që është e nevojshme. Të gjithë të lënduarve ju uroj shërim dhe rikthim sa më të shpejt në familjet e tyre”.

E edhe Lëvizja Vetëvendosje është solidarizuar me të lënduarit nga tërmeti në Durrës e Tiranë.

“Tërmeti i fuqishëm që tronditi Durrësin dhe Tiranën ka lënduar dhjetëra njerëz e ka dëmtuar rëndë disa objekte banesore. Lëvizja Vetëvendosje shpreh solidaritetin e saj me Shqipërinë, veçanërisht me njerëzit që janë prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. Shpresojmë që të lënduarit të bëhen mirë sa më shpejt, e sigurisht që edhe mbështetësit tanë do të bashkohen në mbështetje e ndihmë për bashkëkombasit tanë, sapo të merren vesh se cilat janë përmasat e dëmeve ekonomike e pronësore, dhe nevojat urgjente”, thuhet në reagimin e VV-së.

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj ka shkruar, “I shqetësuar nga tërmeti që sot goditi vendet tona, në masë të madhe Tiranën dhe Durrësin. Ndajmë dhimbjen për gjithë të lënduarit dhe të prekurit në çfarëdo forme nga kjo fatkeqësi natyrore. Institucionet e Kosovës janë të gatshme që të ndihmojnë qytetarët e Shqipërisë në këto momente të vështira. Të gjithë të lënduarve iu dëshiroj shërim të shpejtë”.

Kurse presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka shprehur keqardhjen për tërmetin që ka goditur Tiranën e Durrësin.

Presidenti Meta shpreson për sa më pak dëme dhe pasoja ndërkohe që është i rëndësishëm monitorimi i situatës në vazhdimësi dhe informimi i qytetarëve nga strukturat përgjegjëse shtetërore.

Kurse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se sistemi i Emergjencave në funksion të plotë qysh në momentin e parë pas tërmetit tronditës e gjithashtu koordinim i gjithanshëm me prefekturat e bashkitë dhe komunikim i pandërprerë me partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë reaguar menjëherë pas lajmit, duke shprehur solidaritet e gatishmëri në ndihmë të Shqipërisë.

“Fatmirësisht nuk ka asnjë viktimë. Falë organizimit e përkushtimit total të strukturave të kujdesit shëndetësor, të gjithë të plagosurve u është dhënë ndihma e menjëhershme në spitale, nën mbikëqyrjen nga afër të ministres e të ekipit drejtues të shëndetësisë. Të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar janë prej disa orësh në terren, për verifikimin e pasojave në institucionet e në sektorët e varësisë. Ministria e Mbrojtjes koordinon të gjithë institucionet dhe është e përgatitur për të ndjekur në kohë reale, planin e mbështetjes së çdo familje të prekur nga tërmeti”, ka shkruar Rama në Facebook.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button