Ish të përndjekurit politik vijojnë grevën e urisë

Ish të përndjekurit politik vijojnë sot ditën e 27-të të grevës së urisë ndërkohë që ende nuk është zbatuar vendimi i Gjykatës së Tiranës për shpërndarjen e saj.
 
Në një prononcim për “Ora News” kordinatori i grevës Skënder Tufa ka ripërsëritur se ish të përndjekurit politik nuk do të dalin me dëshirë nga greva.
 
Sipas tij nëse grevistët do të lëvizen me forcë, ata do të rinisin protestën e urisë në një tjetër mjedis, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Gjykata jep një afat 15 ditor për tu ekzekutuar vendimi. N.q.se dalim me dhunë nga kjo grevë do të hapet një vatër tjetër pranë ambasadës amerikane sepse ne nuk jemi të sigurtë në vend tjetër” tha Tufa.

Ai gjithashtu ka kërkuar lirimin e kordinatorit të grevës së urisë Asllan Patrioti i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme nga policia për mashtrim.
 
“Ne kërkojmë të lirohet Asllan Patrioti. Nëse drejtësia ka problem me të të presë derisa të përfundojë greva. Çdo akuzë që i bëhet grevistëve është politike” tha Tufa.

Ndërkohë Gjykata e Tiranës e cilësoi dje si të paligjshme grevën e urisë së ish të përndjekurve politik dhe kërkoi shpërndarjen e saj. Vendimi i gjykatës u mor pas kërkesës së policisë, sipas së cilës gjatë grevës janë kryer vepra me rrezikshmëri për jetën, duke ju referuar këtu rastit të dy grevistëve që i vunë flakën vetes./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button