GAZEPI I GJETJES SË TEMAVE TË BUKURA

  • Shkruaj më shpesh për gjëra të bukura, më thonë miqtë, se u lodhëm prej të zezave. Njerëzit kanë nevojë për pak optimizëm.
  • Ani, u them unë, dhe ua jap fjalën se shkrimi i rradhës do të jetë plot nota optimiste, reze dielli, lule aromëplota kopshtesh, parajsa shqiptarishë… Tamam ashtu si duam t’i kemi punët.

Mirë ama, ulur përpara çudisë elektronike e kuptoj gazepin e gjetjes së temave të bukura, atyre që ta mbushin zemrën frymëzim e ta bëjnë shpirtin mal, krenarë që kem qëllue shqiptarë. Tek po mendohem të gjej temën e përshtatshme që, gjithsesi, duhet të jetë interesante edhe për lexuesit, ma shpojnë tejpërtej veshin lajmet e mbushura ding me premtime lidershipësh për të ardhmen e ndritshme të atdheut të mbetur me pleq, lajmet mbi aferat korruptive të zgjebove të olimpit shqiptar, mbi narkotikët e sekuestruar të dilerëve që po e shndërrojnë Shqiptarinë në Kolumbi, mbi vëllavrasjet e përditshme që kanë rëndomësuar krimin, mbi tradhëtitë e avnirrustemëve dhe atdhetaritë e esadtoptanëve, mbi kryeveprat e mediokërve dhe antivlerat e korifejve të artit si puna e Kadaresë…

Dreq o punë! Në kësi rrethanash, më e kollajshme duket gjetja e motiveve me diell në të shkuarën sesa në të tashmen e përmbytur budallallëqesh. Ku t’i gjejë njeriu diamantet gjithnjë e më të rrallë në minierat e paskajshme të thengjillit të zi katran?

I braktisur ideshë, dorëzohem para letrës së bardhë. Shtrij eshtrat n’shilten e butë dhe përpiqem ta vdes pjesën bosh të ditës. Në një moment e zë veten duke rilexuar kolumnën e mrekullueshme të Linditë Ahmetit: Agora e mbushur me bajraqe, të shkruar para disa vitesh mbi keqdrejtimin e shoqatave kulturore, të cilat i themeluam me shumë mund, me shpresën e madhe se do shndërrohen një ditë në institucione të mirëfillta, në shkolla që do ta kultivojnë shijen e munguar estetike dhe zejen e vështirë të artit, në çerdhe krijuesish të rinj me plot talent dhe energji kreative, të përgatitur për garat e mëdha kulturore të së nesërmes.

  • Eureka, them i përthekuar kuraje! Përse të mos shkruaj edhe unë për temën e bajraqeve? Përse të mos i luftojmë bashkë shëmtitë për t’i hapur udhë të mirës, të bukurës, të ardhmes ndryshe?

Shkrimi i Lindës duket subtil, po ka bubullima përbrenda. Ajo kërkon të ndalet avazi i privatizimit të nismave kulturore të shndërruara aktualisht në dyqane individësh, që me papërgjegjësinë e tyre bëjnë horr vetveten dhe dëmtojnë kulturën kombëtare, duke e mbajtur zap në nivele të patolerueshme.

Ç’është e vërteta, temën e Lindës e kam trajtuar disa herë, duke u përpjekur të xigëloj rehatinë tonë konformiste, ndaj s’do të them asgjë të re nëse sërish i ftoj drejtuesit e përjetshëm të shoqatave kulturore të sqarojnë kur u sosen mandatet dhe në ç’shekull e kanë nijet të mbajnë takimet e rradhës së kuvendarëve inekzistentë të sefave të tyre?

Tani besoj e kuptuat si lindin shkrimet mbi dregëzat. Mbase e dini edhe atë se të tilla shkrime kanë tagër të lartë, sepse në shkretishten e miletit që parapëlqen rolin e të mirit me të gjithë, ti ngrihesh e prish traditën e hatreve të rreme, prek tema tabu e shkel bishta gjarpërinjsh, duke ndërsyer vetëdijshëm kundër vetes inatin e pafisnikëruar të personazhëve tu dhe mësyemjet e tipit: dardha te kumlla.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button