Apple zbulon bazën ushtarake sekrete tajvaneze

Apple dhe aplikacioni i saj iOS6 rikthehet në qendër të vëmendjes. Pas kritikave të forta të përdoruesve të produkteve të “Mollës” për gafat me hartat në këtë aplikacionit, këtë herë “përplasja” mbërrin nga Lindja e Largët.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit deklaroi zyrtarisht se i ka kërkuar “Apple” të ulë rezolucionin në hartat e saj, të paktën për territorin e tij dhe shkak për këtë duket se është bërë siguria e vendit të vogël ishullor.

Kërkesa e Taipeit mbërriti pas publikimit të disa fotove të marra nga iOS6 në gazetën Liberty Times ku fare qartë mund të shihej një bazë ushtarake, e cilësuar tepër sekret. Në fakt, pak persona kishin dijeni për këtë bazë ushtarake, por pas publikimit të imazheve nga iOS6, raportet kanë ndryshuar drastikisht.

Bazat ushtarake të Tajvanit nuk janë të vetmet që nëpërmjet imazheve satelitore janë të përfshira në iOS6. Por reagimi i Taipeit ka qenë i pari për faktin se në këtë bazë është i vendosur një sistem i përparuar radarësh si mbrojtje ndaj raketave kineze.

Tajvani, (zyrtarisht Republika e Kinës) dikur pjesë e Kinës kontinentale u shkëput prej saj pas luftës civile në vend që solli në pushtet komunistët. Anti-komunistët, që ishin pala humbëse u vendosën në Tajvan ku krijuan qeverinë e tyre. Prej vitesh të dyja qeveritë pretendojnë sovranitetin mbi gjithë popullin kinez, ndërsa vendi ishullor është mbështetur fuqimisht nga fuqitë perëndimore, vecanërisht Shtetet e Bashkuara.

Por pavarësisht kësaj marrëveshje, statusi aktual ndërkombëtar i Republikës së Kinës (Tajvani) nuk është ai i një shteti të pavarur, pavarësisht se operon si një i tillë. Shkak për këtë është bërë kundërshtimi i Pekinit komunist (Republikës Popullore të Kinës) që e quan ishullin pjesë të territorit të saj që qeveriset nga “autoriteti tajvanez”.

Lajme të ngjashme

Back to top button