Me 13,7 milionë euro do të instalohet pagesa elektronike edhe në pikat për pagesë të taksës rrugore në Korridorit 8

Me 13.7 milionë euro, brenda 12 muajve të ardhshëm, do të ndërtohen tre pika të reja për pagesë të taksës rrugore në autostradat Milladinovc – Shtip dhe Kërçovë – Ohër, dhe në to do të instalohet sistem elektronik për pagesë të taksës rrugore në Korridorin 8. Gjithashtu do të instalohen edhe panele diellore fotovoltaike, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Marrëveshja për financim, me BERZH është nënshkruar sot, me të cilën do të ndërtohen pikat për taksa rrugore “Kadrifakovë” dhe “Preod” në autostradën Miladinovci – Shtip, si dhe “Arbinovo” pika e ardhshme për taksë rrugore në autostradën Kërçovë – Ohër.

Përveç se do të ndërtohen pikat për pagesë të taksës rrugore në të njëjtat do të instalohet edhe sistemi elektronik i pagesës. Njëkohësisht, projekti i ri do t’u mundësojë qytetarëve të paguajnë taksën me pajisje elektronike në të gjitha pesë pikat ekzistuese për pagesë në Korridorin 8 – “Milladinovci”, “Glumovo”, “Zhelinë”, “Tetovë” dhe “Gostivar”.

Projekti parashikon lidhjen e tarifave të azhurnuara dhe të reja në autostradat me Qendrën operative në Petrovec. Me këtë kredi do të ndërtohet edhe një korsi shtesë për të rritur kapacitetin e pagesës së taksës rrugore te “Milladinovci”.

Ministri për transport dhe lidhje Goran Sugareski në nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes me BERZH theksoi se sistemi elektronik i pagesë është pjesë e sistemit transportues  inteligjent me të cilin do të modernizohet transporti dhe do të rritet funksionaliteti, siguria dhe parashikueshmëria e trafikut rrugor.

“Qëllimi ynë përfundimtar është të krijojmë një sektor të harmonizuar të transportit, të integruar në sistemin evropian të rrjeteve të transportit”, tha Sugareski.

Përveç përmirësimeve në transportin rrugor, kredia nga BERZH do të investohet edhe në prodhimin e energjisë së rinovueshme.
Instalimi i paneleve diellore në të gjithë 15 pikat e taksës rrugore në të gjithë shtetin do të mundësojë që gati gjysma e energjisë elektrike të nevojshme për të mirëmbajtur stacionet që do të gjenerohet nga këto panele. Në këtë mënyrë, Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore do të kursejë në pjesën e shpenzimeve për funksionim pa pengesa të pikave për taksë rrugore.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për këtë qëllim i ka dhënë Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore (NPRRSH) një kredi prej 13 milionë euro, ndërsa 700,000 euro tjera do t’i sigurojë vetë ndërmarrja publike nga buxheti i vet.

Tenderi ndërkombëtar për të gjetur kontraktues për këtë projekt u publikua në pjesën e parë të qershorit të këtij viti, ndërsa nga kjo vjeshtë Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore do të duhet të fillojë me realizimin e këtij projekti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button