A mundet Gjykata Speciale ta mbulojë dështimin e Prokurorisë Speciale në RMV?

Vonë është që në Maqedoninë e Veriut të formohet Gjykatë Speciale. Dështimi i Prokurorisë Speciale, e ka thelluar mosbesimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor të RMV-së, i cili mund të kthehet vetëm nëpërmjet reformave në institucionet, fillimisht të drejtësisë, por edhe fillim të negociatave me Bashkimin Evropian.
Kështu deklarojnë për Portalb.mk, njohësi eksperti juridik, Naser Ziberi dhe njohësi i çështjeve politike, Petar Arsovski, në lidhje me mundësinë eventuale për formimin e një Gjykatë Speciale, që të kthehet besimi i qytetarëve në gjyqësor.

Reformat në gjyqësi janë kusht kryesor për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

“Vonë është që tani të formohet Gjykatë Speciale, është dashur të formohet atëherë kur është formuar Prokuroria Speciale”, është komenti i Ziberit, i cili shton se nuk ekziston disponim absolutisht për ndonjë hap më serioz.

Naser Ziberi
Naser Ziberi

“E shihni se çfarë negociatash bëhen, çfarë kompromisesh në dëm të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës sepse dështimi dhe kapitullimi i Prokurorisë Speciale, i ka demotivuar të gjithë faktorët të cilit ishin të gatshëm të bëjnë ndonjë kthesë më të madhe. Tashmë, mendoj se gati të gjithë janë të bindur se duhet të mbyllet kjo çështje sa më shpejtë eventualisht të merret ndonjë raport politik dhe në këtë mënyrë ndoshta të shihet shpresa se përmes negociatave për anëtarësim të bëhet ndonjë kthesë. Bisedimet politike ishin kapitullim i një iniciative kaq shpresëdhënëse se mund të bëhet diçka”, shtoi Ziberi, duke thënë se situata në sektorin e jurispodencës, është në gjendje jashtëzakonisht të rëndë.

Sipas Arsovskit, Gjykata Speciale nuk është zgjidhje, pasi që duhet të reformohen gjykatat ekzistuese, gjegjësisht të ketë rizgjedhje të kuadrove.

Petar Arsovski
Petar Arsovski

“Më mirë është që t’i reformojmë këto gjykata që i kemi se sa të krijojmë vazhdimisht gjykata speciale.  E njëjta ishte edhe me PSP-në, më mirë të kishte funksionuar prokuroria e rregullt. Në kushte kur nuk funksionojnë, ndoshta mund të mendohet në atë variant. Gjykatat duhet të punojnë në ngritjen e besimit të qytetarëve për vendimet e tyre. Me krizën politike imazhi i gjykatave është shkatërruar. I keq është ndërrimi i gjykatës së rregullt me atë speciale. Më mirë është që të reformohen gjykatat dhe institucionet përkatëse.  Megjithatë, është i nevojshëm rizgjedhje e përgjithshme e kuadrove, thotë për Portalb.mk, Arsovski.

Ndryshe, formimi i një Gjykate Speciale në Maqedoni ka qenë ide e cila nuk u jetësua.
Sektori civil, por edhe ekspertët vazhdimisht kanë ftuar që të formohet një institucion i tillë i cili do të merrej vetëm me lëndët e Prokurorisë Speciale, pasi që gjykatat e vendit refuzonin bashkëpunimin me prokurorët special.

Prokuroria Speciale tani për tani është jofunksionale. Kryeprokurorja e cila u emërua ta përndjekë korrupsionin, Katica Janeva, tani është në paraburgim, mu për skandal korrupsioni. Prokurorët e PSP-së, tanimë nuk janë “special”, pasi që bashkë me lëndët janë transferuar në Prokurorinë Shtetërore, me të cilën udhëheq Lubomir Joveski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button