Borxhi ndaj ndërmarrjeve është i madh, andaj është fshehur

Para dhjetë ditëve “Biznes asociacioni evropian” doli me shifra frapante të marra nga Regjistri qendror se në fund të vitit 2011 borxhi i Qeverisë ndaj ndërmarrjeve arrinte plot 226 milionë euro.

Ky detal nuk u demantua nga ana e Qeverisë. Kjo nga ana tjetër është biznes asociacioni i parë i cili aludonte në hapin e Qeverisë që ta bëjë atë që e bënë dy odat tjera – ta “bekojnë sovranin”.

Në internet faqen e vet, Ministria e Financave zyrtarisht bëri të ditur se në vitin 2011 vrima në buxhetin shtetëror arrinte 187 milionë euro apo 2.5 për qind të BPV-së. Tani u konfirmua se kjo informatë nuk ka kurrfarë rëndësie, meqë me borxhin e shtetit ndaj ndërmarrjeve prej 226 milionë eurove, në fund të vitit 2011 vrima e vërtetë është dyfish më e madhe dhe arrin 413 milionë euro apo 5.5 për qind të BPV-së. U konfirmuan paralajmërimet se borxhi i Qeverisë ndaj ndërmarrjeve është burim i jolikuiditetit të ekonomisë së Maqedonisë dhe bazë për recesionin në të cilin ka hasur shteti, theksojnë nga opozita.

“Me këtë, imazhi që vizatoi Qeveria e kryeministrit Gruevski për ekonominë e Maqedonisë dhe për politikat qeveritare filloi të shkatërrohet si kullë e kartave. Me një vrimë aq të madhe në buxhetin shtetëror prej 5.5 për qind të BPV-së, jo vetëm që nuk jemi ndër më të mirët në Evropë, siç lavdërohet kryeministri Gruevski, porse jemi ndër më të këqinjt, ka madje 20 vende të BE-së që janë më të mirë se ne, komenton Zoran Jovanovski, nënkryetar i LSDM-së. “Aq më shumë, nëse merret parasysh se të dhënat e “Biznes asociacionit evropian” kanë të bëjnë me fundin e vitit 2011, e se problemi me borxhet e Qeverisë ndaj ndërmarrjeve është përforcuar në vitin 2012, është logjike të supozojmë se borxhet këtë vit akoma më shumë janë zmadhuar. Ja pse, borxhi ndaj ndërmarrjeve edhe sot e kësaj dite është sekreti më i madh shtetëror, e jo për shkak të faktit që i njëjti për çdo ditë ndryshohet.

Qeveria kishte mundësinë që drejtpërdrejtë të dëgjojë nga përfaqësuesi i FMN-së se Qeveria doemos duhet rregullisht ta shpallë borxhin dhe se doemos duhet jo vetëm ta kthejë borxhin ekzistues ndaj ndërmarrjeve, por doemos duhet të ndërtojë mekanizëm se si të mos grumbullohet borxhi në të ardhmen, shkruan javorja Globus. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button