Ndërroi jetë gjatë lindjes gazetarja e njohur shqiptare

Një ngjarje e rëndë që ka trishtuar jo vetëm ata që punojnë në media, por edhe kolegët e bashkëpunëtorët ndër vite të gazetares së njohur nga Kosova, Ardita Sylejmani -Bllaca. E ndjera, ka shkuar për të lindur në një maternitet të Budapestit, kur vetëm pak minuta pasi ka lindur fëmijën e tretë, ajo ka ndërruar jetë. Dyshohet se shkak për vdekjen e papritur të gazetares janë bërë komplikacionet shëndetësore gjatë lindjes, që përpos ndërhyrjes së mjekëve, ajo nuk ka mundur të mbijetojë, transmeton Revista Class.

Ardita Sylejmani ishte gazetare e RTK-së dhe lajmi i papritur i ndarjes së saj nga jeta ka pikëlluar familjarët, kolegët e ngushtë, miqtë e ata që punuan me të në gjithë vitet e eksperiencës si gazetare. Gazetarja është bashkëshorte e Shpend Bllacës, të punësuarit në stafin diplomatik të Republikës së Kosovës në kryeqytetin hungarez, Budapest. E ndjera la pas vetes tre fëmijë, përfshirë edhe vajzën e porsalindur.

Duke marrë shkas nga ngjarja e hidhur, Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së Ngadhnjim Kastrati ka publikuar një letër ngushëllimi, në të cilën thuhet: “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të koleges, gazetares së dhomës së lajmeve Ardita Sylejmani – Bllaca.

Ardita dha një kontribut të madh në RTK gjatë tërë kohës sa ka punuar në dhomën e lajmeve. Prandaj, humbja e saj është humbje e madhe për Radio Televizionin e Kosovës.

Përkushtimi në punë në secilën detyrë që i është besuar, si dhe dashuria për profesionin, bëjnë që Ardita Sylejmani – Bllaca të mbetet në kujtesën e familjarëve, miqve dhe kolegëve. Familja Sylejmani, familja Bllaca si dhe kolegë të RTK-së dhe më gjerë pranoni ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen e saj nga jeta”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button