Ku përfundojnë IPA fondet, në xhepat e mashtruesve apo te shfrytëzuesit e vërtetë

Paratë të cilat i lëshon Bashkimi Evropian, të ashtuquajtura IPA fonde, duhet të arrijnë tek shfrytëzuesit e vërtetë e jo të përfundojnë në xhepat e mashtruesve. Kështu apeloi drejtori i përgjithshëm i Zyrës Evropiane për luftë kundër mashtrimit – OLAF, Vile Itala. Ai kërkoi ndihmë dhe bashkëpunim nga autoritetet administrative si dhe nga gjyqësori dhe policia, transmeton RTV21.

“OLAF ka mandat të hetojë mashtrime dhe korrupsion që e përfshijnë buxhetin e BE-së në vendet kandidate dhe kandidatët potencial. Por për ta bërë këtë me sukses ne kemi nevojë për bashkëpunim dhe mbështetje aktive të partnerëve tanë në terren ose thjesht thënë na duheni neve. Bashkëpunimi me autoritetet administrative kombëtare si dhe me gjyqësorin dhe policinë ka rëndësi vitale për punën hetuese të OLAF”, deklaroi Vile Itala, drejtor i përgjithshëm i “Olaf”.

Ministrja e Financave Nina Angelovska tha se vendi është duke punuar vazhdimisht në luftën kundër mashtrimeve, në mënyrë që të bindë Komisionin e Olaf-it, se Maqedonia e Veriut e zbaton plotësisht politikën të tolerancës zero ndaj mashtrimit.

“Periudhën e fundit kemi bërë përparim të rëndësishëm në avancimin e politikës së përgjithshme në këtë plan duke miratuar Strategjinë kombëtare kundër mashtrimit për të mbrojtur interesat financiare të BE-së, ndërsa në vijim është procesi i krijimit të rrjetit institucional për të luftuar mashtrimin dhe parregullsitë që do të mundësojnë bashkëpunim më të mirë në nivel kombëtar midis institucioneve të përfshira në luftën kundër mashtrimit dhe për të mbrojtur interesat financiare të BE-së”, u shpreh Nina Angellovska, ministre e Financave.

Ndryshe, në prill të vitit 2016, OLAF pas dyshimeve se Maqedonia kishte keqpërdorur para të IPA fondeve, kishte ngritur hetim që e ka hulumtuar Prokuroria Publike e Maqedonisë.  Është dyshuar se fabrika dhe kombinate të bujqësisë janë furnizuar me pajisje të cilat nuk përputhen me standardet e përcaktuara, me çka janë keqpërdor 200 mijë euro. Por nga hetimi nuk u vërtetua se është bërë keqpërdorim. Nga viti 2010 është rregulluar me ligj se nëse bëhet ndonjë mashtrim me mjetet e Bashkimit Evropian, konsiderohet se është vepër penale. Sipas Kodit Penal, çdo individ që do t’i keqpërdorë paratë e Bashkimit Evropian, do të dënohet me gjashtë muaj deri në pesë vjet burg. Përveç kësaj, kompanitë, për të cilat do të konstatohet se kanë keqpërdorur paratë e fondeve IPA, do të përballen me dënime në të holla.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button