Haradinaj: Kurti, Osmani e Veseli s’mund të afrohen te 30% i punës time

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës njëherësh kandidat për Kryeministër, Ramush Haradinaj, ka thënë se dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ia la në dorë Presidentit të vendit, Hashim Thaçit, por ja hoqi nga duart, duke e tjetërsuar, njofton Klan Kosova.

“Nuk ia lash në dorë Presidenti por ia hoqa nga dora. Duke e hequr total prej peshës së vet dhe duke e bartë në një tavolinë tjetër, të takimeve të fshehura, atyre jo transparente, me rreziqe të ndarjes së Kosovës. Dialogu i ardhshëm do të arrihet një konsensus në Kosovë. Mirë është që mos të mendoj askush që dialogu është çështje e një mandatari”.

“Kushdo që do ta ketë fatin të udhëheq, do ta ketë përgjegjësinë e udhëheqjes së dialogut por duhet të ketë kujdes të ruhet një konsensus në parlament. Nëse e marr unë, mendoj që e arrij një zgjidhje sepse marrëdhëniet me palë duhet të jenë të qarta dhe jo të mjegullta. Askush nuk ka qëndrime më të qarta prej udhëheqësve të Kosovës. Nuk mund t’i bësh minus vetes në proces e në fund të mbesim duar thatë”.

Haradinaj foli edhe për marrëdhëniet që ka pasur me ish-partnerët e tij Kadri Veselin, Fatmir Limajn e Behgjet Pacollin.

“Kanë qenë shumë kolektiv. Kemi punuar shumë mirë, por kemi pasur dallime ndonjëherë. Kjo ka rezultuar që çdonjëri të shkojë rrugës së vet. Fati është se temat nuk kanë pësuar. Ushtria e Kosovës është realitet. Trepça është zgjidhur, kufijtë nuk kanë pësuar. Duke qenë kështu, ato hidhërime janë më pak vlerë”, ka thënë Haradinaj në debatin “Fol Hapur”.

Ndërkaq, për konkurrentët e tij në postin e Kryeministrit, Haradinaj e cilësoi veten si më i miri.

“Sa i përket punës, unë jam më i mirë se të tjerët nëse vjen puna për zbatim. Të kthemi në 18 muajshin e kësaj qeverie, del që s’mund të shtyhen me mua. Albin Kurti s’ka pasur asnjëherë përvoja menaxheriale, ekzekutive, zbatuese. Vjosa Osmani s’ka pas përgjegjësi të caktuar, të operojë në situata të caktuara. Ndërkaq Kadri Veseli nuk ka përqendrueshmëri. Nuk është shumë i fokusuar”.

“Unë jam pretendent për të fituar. Për punë prij para aftësive të tyre vepruese e menaxheriale. Nuk kanë shans të afrohen te 30 përqindëshi i punës time. T’i bëjmë të tre bashkë nuk afrohen te 30 përqindëshi im”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button